Dhanë shporetin, morën kondicionerë, 4060 aplikime për subvencion për inverterë


Dhjetëra shporetë u mblodhën në oborrin e shkollës së mesme të Sarajit.

Qytetarët që po i dorëzojnë në këtë pikë grumbullimi, ngrohjen me dru e kanë zëvendësuar me kondicionerë inverterë të subvencionuar nga qeveria.

“Vendosa sepse jam në punë, dal në 5 e gjysmë e kthehem në orën 17. Kur do ta ndez, e kur do të ngrohem?! Vetëm jam në shtëpi dhe thjesht vendosa për kondicioner. Mendoj se do të shpëtoj! 59 vjet jam me dru, por më nuk mundem”, tha Marika Vaseva, shfrytëzuese e subvencionit.

Nga zyrtarët komunalë merrnin një shkresë për shporetin e dorëzuar. Deklarojnë se më nuk do të ngrohen me dru.

E për të shmangur keqpërdorimet, në dy vitet në vijim do të ketë edhe kontrolle nëpër shtëpi, gjë për të cilën aplikuesit e kanë pranuar gjatë aplikimit.

“Komisioni i Qytetit të Shkupit, por edhe në nivel shtetëror, mund të kryejë inspektim të personave që kanë pranuar subvencione që të shihet nëse vërtet i përdorin inverterët, apo përpiqen të bëjnë, kushtimisht thënë, ndonjë mashtrim, e kjo do të jetë me pasoja, sepse si Qyteti por edhe shteti ngrenë procedurë për kthimin e mjeteve të marra si subvencion”, deklaroi Petre Shilegov – Kryetar i Qytetit të Shkupit.

Vetëm në Komunën e Sarajit 160 familjeve u është miratuar kërkesa për inverterë.

“Komuna e Sarajit ka ndërmarrë të gjitha hapat për njoftim, ka caktuar edhe vendbanimet si prioritete dhe deri më tani janë 160 që janë paraqitur në kuadër të Qytetit të Shkupit, shpresojmë që me vazhdimin e mëtutjeshëm do të ketë edhe më tepër aplikues dhe të gjithë të kontribuojmë për ajër më të pastër”, theksoi Blerim Bexheti – Kryetar i Komunës së Sarajit.

Deri më tani në Qytetin e Shkupit kanë arritur 4060 aplikime për subvencione, ndërsa tani për tani procesi është ndërprerë, që të rishikohen aplikimet e pranuara. Nëse jo të gjithë i plotësojnë kushtet, pritet që thirrja të rihapet për të dhënë edhe pjesën e mbetur të mjeteve të parapara.

Gjithsej janë paraparë të bëhen 5400 subvencionime, që nënkupton 5400 oxhaqe më pak që ndotin qytetin me tym. Subvencione të këtilla ka edhe në Tetovë, Manastir dhe Kërçovë.

Baby Boo