Detajet: Si e grabitën ‘forcat speciale’ biznesmenin


Të veshur me uniformë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, maskat me armë grabisin biznesmenin e transportit. Banesa e një biznesmeni durrsak ka rënë mbrëmjen e së shtunës pre e grabitjes, shkruan Panorama.

Persona ende të paidentifikuar, të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur shtëpinë e biznesmenit Elton Kelmendi, që operon në fushën e transportit ndërkombëtar. Burime thanë se tre persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të mësyjnë në banesën e biznesmenit 38-vjeçar gjatë mbrëmjes.

Autorët e kanë pritur në ambientet e jashtme atë dhe në momentin që biznesmeni është afruar për të hyrë në banesë bashkë me djalin, i kanë vendosur armën në kokë. Nën kërcënimin e armës, grabitësit e kanë udhëzuar atë që t’u kërkonte familjarëve të hapnin derën e shtëpisë.

Në momentin që bashkëshortja e tij ka hapur derën, autorët mësynë në ambientet e brendshme të shtëpisë. Fillimisht, ata lidhën çiftin e bashkëshortëve dhe djalin e tyre, ndërsa më pas kontrolluan në ambientet e brendshme të shtëpisë. Mësohet se autorët kanë arritur që të gjejnë brenda në shtëpi një shumë parash prej rreth dhjetë mijë eurosh.

Pasi morën eurot, ata lanë të lidhur biznesmenin dhe gruan e tij, ndërsa në momentin e largimit morën me vete në formë pengu djalin e tyre.

Pas disa metrash, në momentin që dolën në rrugën kryesore, ata zbritën nga makina djalin e çiftit, i cili i tromaksur u kthye në banesë ku gjeti prindërit të lidhur. Menjëherë, biznesmeni lajmëroi Policinë, duke e vënë në dijeni për atë që kishte ndodhur në familjen e tij. Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet paraprake, duke sekuestruar provat në vendin e ngjarjes, si dhe kamerat e sigurisë që ndodheshin të instaluara në bizneset pranë banesës së biznesmenit. Sipas burimeve, autorët janë larguar drejt Shijakut, duke humbur gjurmët në errësirë.

Baby Boo