Detaje/ Si humbi jetën nga rënia në bunar 11-vjeçarja nga Ferizaj


Ishte duke luajtur me të afërmit në oborrin e shtëpisë. Por pasditja e së dielës doli të jetë fatale për një 11-vjeçare nga komuna e Ferizajt. Ajo aksidentalisht ra në pusin që gjendej pranë shtëpisë së saj. Kanë qenë të afërmit e fqinjët e saj ata të cilët kanë intervenuar duke e nxjerrë këtë vajzë të mitur nga pusi. Por ajo tashmë kishte marrë lëndime të rënda trupore. Express ju sjell detaje nga rasti

Sipas mjekëve të QKUK-së, kjo e mitur pa shenja jete ishte dërguar në Spitalin e Ferizajt. Por pas intervenimit të stafit mjekësor ajo u kthye në jetë.

Me shenja jete kjo 11-vjeçare u dërgua me emergjencë në QKUK dhe u vendos në Intensiven e QKUK-së.

Detaje për gjendjen shëndetësore dhe trajtimin e kësaj të miture në QKUK ka dhënë për Express shefi i Klinikës Intensive, Shaqir Uka.

“Pacientja 11-vjeçare e cila pësoi lëndime për shkak të rënies në një pus në regjionin e Ferizajt, është sjellë fillimisht në qendrën emergjente në Ferizaj, aty ku ka shku pa shenja jete. Në qendrën emergjente të Ferizajt ajo është ngjallë dhe është sjellë në emergjencën e QKUK”, shpjegon doktori.

Ai thotë se në Klinikë ajo kishte shkuar në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Pas ekzaminimeve të kryera në Emergjencë, fëmija është sjellë në kujdesin Intensiv Qendror në gjendje të rëndë shëndetësore. E kemi trajtua me barna, me frymëmarrje komplet të asistume, nga aparati i frymëmarrjes. Masat për rikthimin në gjendje normale të fëmijës rezultuan të pasuksesshme. Nuk ka pasë lëndime të dukshme. Ka qenë një mbushje e plotë në rrugët e frymëmarrjes me ujë nga pusi”, sqaron për rastin e rëndë mjeku i QKUK-së.

Express për këtë rast ka biseduar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari.

Ai pohoi se vajza e mitur aksidentalisht ra në pus dhe si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Sipas tij, kanë qenë familjarët e saj ata të cilët e kanë nxjerrë këtë të mitur nga pusi.

“Mund të ju konfirmoj se fatkeqësisht bëhet fjalë për një vajzë të mitur rreth 11-vjeçare. Në bazë të informacioneve të para që ne i kemi, e mitura ka rënë aksidentalisht në pus. Ajo është nxjerrë nga aty nga ana e familjarëve. Mirëpo, gjatë rënies kjo vajzë e lindur në vitin 2009 ka marrë lëndime të rënda trupore, të cilave fatkeqësisht nuk ka mundur që t’u mbijetojë. Rastin ne jemi duke e hetuar. Kemi kërkuar të bëhet analiza e autopsisë”, ka deklaruar Jashari për Express.

Rreth rastit janë duke punuar edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Baby Boo