Dënohet me burgim të përjetshëm burri që vrau gruan me 14 plumba në Prizren


Bajram Velija, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba, Armenda Aliu Velija, është dënuar me burgim të përjetshëm
Lajmin e ka bërë të ditur avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook.

“Vrasësi i gruas së vet, Armenda Aliu Velija, u dënua me burgim të përjetshëm. Gjykata, ashtu si e kam propozuar në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, e ka dërguar porosinë në shoqërinë tanë: tash e tutje, vrasjet e grave do të dënohen maksimalisht. Përndryshe, ky vendim i guximshëm po e kthen besimin në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Koci.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A.A.

Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas kryerjes së këtij veprimi, i pandehuri bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, i pandehuri mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet
Ai gjendet në paraburgim që nga 6 gushti i vitit 2019.

Baby Boo