Edhe pse Gjykata Penale e dënoi me dy vjet burg për korrupsion në rastin “Tanku”, ish -kryeministrin Nikolla Gruevski e shpëtoi nga prangat imuniteti i deputetit.
Kodi penal në kushtetutën e Republikës së Maqedonisë parashikon se: “Deputeti nuk mund të dërgohet në paraburgim pa miratimin e Kuvendit, vetëm në qoftë se kapet gjatë kryerjes së ndonjë vepre penale për të cilën parashikohet burg prej të paktën pesë vitesh”.
Megjithatë, ish-kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO-DPMNE, do të gjykohet edhe për të paktën katër raste të tjera për mashtrime zgjedhore, shfrytëzim tenderash, porositje të dhunës ndaj zyrtarëve të LSDM-së dhe vepra të tjera. Ish-kryeministri Gruevski nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit një ditë më parë, por u përfaqësua nga avokatët e tij.
Në një reagim në Facebook pak orë pas marrjes së dënimit, ai i bëri thirrje mbështetësve të tij “të mbajnë kokën lart, sepse Maqedonia është vendi i qytetarëve.”
VMRO-DPMNE , me anë të një reagimi për media dënoi vendimin e gjykatës, duke e quajtur atë politik, ndërsa deputetët e VMRO, në shenjë proteste braktisën seancën në Kuvend.
Dosja hetimore e quajtur “Tanku” lidhet me blerjen e Mercedes-it luksoz me vlerë 600 mijë euro për llogari të ish-kryeministrit Gruevski.
Dje për të njëjtin rast u dënua me 6 vite e 6 muaj burg, edhe ish-zv/ministri i punëve të brendshme në atë kohë, Gjoko Popovski ndërsa më 28 maj pritet vendimi për ish-ministren e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska.