Dehari: “Valvitja e flamurit shqiptar nuk rrezikohet në asnjë mënyrë”


Shpallja e rezultateve të regjistrimit, ka hapur debate të shumta që kanë fokusuar edhe komunën e Kërçovës dhe përdorimin e flamurit shqiptar në institucionin e administratës komunale. Por kryetari i kësaj komune Fatmir Dehari, thotë se valvitja e flamurit shqiptar në Kërçovë nuk rrezikohet në asnjë mënyrë.

“Në asnjë mënyrë nuk rrezikohet përdorimi i flamurit kombëtar, unë mendoj se gjithmonë duhet të shihet në perspektivë zhvillimi i këtij vendi dhe çështja e simboleve dhe temave tjera politike, për mendimin tim, duhet të jenë në tryezë për tu diskutuar”, potencon kreu i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari.

Kryetari Dehari thotë se përdorimi i simboleve kombëtare është i rregulluar me kushtetutë dhe politizimi i procesit të regjistrimit duke manipuluar me grafat rezident dhe jorezident, padyshim se është i panevojshëm, sepse situatën reale sipas tij, do ta qartësojnë rezultatet përfundimtare dhe grafa e tretë apo kategoria që përcakton numrin e përgjithshëm të popullatës.

“Disa javë pas publikimit të rezultateve të regjistrimit shoh një përshkallzim në kumtim të politizimit të regjistrimit, dhe pse duhet të bëhet kjo?, kur të gjithë ne e dijmë që regjistrimi është një operacion statistikor dhe për fat të keq deri në këto përmasa politika e përdor regjistrimin pa pasur nevojë fare. Në fund të fundit, përdorimi i simboleve kombëtare në RMV është çështje e rregulluar me kushtetutë, me ligjin për përdorimin e simboleve, dhe janë ligjet ato që përcaktojnë. Tanimë dihet se në RMV, shqiptarët jetojnë brenda dhe jashta këtij shteti, dhe qofshin brenda apo jashtë, shqiptarët janë pjesë e këtij shteti, ashtu siç janë edhe të gjitha nacionalitetet tjera që jetojnë këtu. Unë e kam theksuar në një rast qëndrimin tim në rrjetet sociale, se flamuri është ngritur nga bijtë e vet dhe ai do të valojë përjetësisht këtu. Mbrëmë dëgjova edhe qëndrimin e kryetarit të opozitës maqedonase Hristian Mickoski për zbrazjen e qyteteve tona, ku sipas tij pak ka rëndësi valvitja e flamurit, nuk është ashtu, flamuri është simbol, sikur edhe një qytetar të jetë banor i atij vendi, ai identifikohet përmes atij simboli dhe jo të një simboli tjetër për përkatsinë e tij, dhe në fund të fundit zbrazja e qyteteve apo fshatrave nëse ndodh, nuk është një dukuri që ndodh brenda një periudhe të caktuar kohore të së tashmes, por është një dukuri që ndodh shumë më heret, kur vetë z. Mickovski ka qenë me partinë e tij në pushtet, dhe ai sigurisht duhet në një mënyrë të turpërohet pse kjo ka ndodhur në kohën e mëhershme, pra largimi i të rinjëve nga vendi. Por sidoqoftë, regjistrimi i qytetarëve do të dalë zyrtarisht nga institucioni përkatës, dhe do të qartësohen edhe rastet e keqpërdorimit me qytetarët rezident dhe jorezident. Dhe në fund, kategoritë e qytetarëve rezident, jorezident dhe numri i përgjithshëm, do të japin pasqyrën reale të qytetarëve që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë shtetas të këtij vendi”, shprehet Dehari.

Polemikat rreth përdorimit të flamurit shqiptar në Kërçovë, erdhën pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të fundit, sipas të cilit numri i banorëve rezident shqiptarë në Kërçovë, krahasuar me regjistrimin e kaluar, ka rënë nën 50%.

Baby Boo