Dehari: Sikur që besova për kryetarin e parë të Kërçovës, besoj edhe për kryeministrin e parë shqiptar


Vendlindja ime, Kërçova, është pasqyra më i mirë e përfitimeve të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Me miratimin e Ligjit për organizim territorial, si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, u dhanë mundësi për të gjithë ne. Kërçova u bashkua dhe ju dha mundësia të gjithëve që të bëhen kryetarë komune, jo vetëm të një komuniteti, por të gjithëve. Por, nuk ishte vetëm Marrëveshja e Ohrit dhe Ligji për organizim territorial, që kontribuuan për marrjen e pozicionin kryetar komune.

Në 2013 ne gjithashtu thamë: Pse jo? dhe besuam. Pse shqiptarët të mos kandidojnë për pozitën e kryetarit të komunës në zgjedhjet lokale? Kur deklaruam në 2013 që unë do të kandidoja për kryetar komune, disa ishin skeptikë. Por, ne besuam. Ne luftuam për ëndrrën tonë. Dhe ne u bashkuam si shqiptarë, së bashku me pakicat e tjera. Krijuam lëvizje civile për kryetarin e parë shqiptar të komunës së Kërçovës, përhapëm ëndrrën dhe besimin tonë se këtë mund ta bëjmë realitet së bashku – madje edhe qytetarët e Kërçovës që jetojnë në SHBA u kthyen për të votuar. Pjesa tjetër është histori, që nga viti 2013 unë jam kryetari i parë shqiptar i Kërçovës pas më shumë se 50 vitesh.

Në vitin 2013 ishte shumë vështirë, por në vitin 2017, veç më gjithçka ishte tejkaluar, sepse atëherë për mua votuan edhe maqedonë, edhe turq, edhe romë dhe të gjitha komunitetet pa asnjë lloj paragjykimi. E ju e dini tashmë se pse po ua tregoj këtë histori. Sepse ne jemi në një situatë shumë të ngjashme në këto zgjedhje, por kësaj radhe në nivel kombëtar. Për herë të parë në historinë e vendit tonë, një kandidat shqiptar do të kandidohet për Kryeministër. Për herë të parë në zgjedhje parlamentare, ne shqiptarët po qëndrojmë me guxim dhe vetëbesim – kërkojmë që pozita e Kryeministrit t’i takojë njërit prej nesh, dhe në këtë të na mbështesin të gjitha komunitetet. E nga përvoja jonë në Kërçovë, unë e di se këtë mund ta arrijmë.

Me të njëjtin besim, me të njëjtën frymë dhe të njëjtën vullnet për të luftuar së bashku, që na solli fitore në vitin 2013. Historia jonë në Kërçovë është dëshmi, që së bashku mund të arrijmë gjithçka. Kryetar të parë shqiptar të komunës së Kërçovës në vitin 2013 dhe Kryeministër të parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut në vitin 2020. Ndërsa në vitin 2024 gjithçka do të jetë më mirë, më ndryshe, më barabartë. Por, shembulli i Kërçovës, jo vetëm që tregon se ne mund ta bëjmë këtë, nëse jemi të vendosur dhe të unifikuar. Ai gjithashtu dëshmon, se ky shembull është duke funksionuar edhe në praktikë. Sipas mendimit tim, me modesti mund të them se kemi përmirësuar cilësinë e jetës në Kërçovë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për maqedonasit. Kuptohet që në fillim ka pasur tensione dhe shumë maqedonas kishin dyshime për një kryetar shqiptar. Por që nga dita ime e parë në detyrë, u përpoqa maksimalisht të bëhem kryetar jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët.

Në fund të fundit, unë mund të them me krenari, se së bashku i kemi tejkaluar çështjet etnike në qytetin tonë. Dhe pikërisht e njëjta që do të ndodhë me kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Nuk po flas vetëm për partitë maqedonase, që kanë frikë se mos e humbasin duopolin e pushtetit – dhe thjeshtë bëjnë thirrjet e tyre elektorale. Krahas tyre, ka edhe qytetarë maqedonas që kanë hezitim për një Kryeministër shqiptar – por ja, unë ju ftoj të vini në Kërçovë dhe të shikoni se si funksionon, se si është ngritur shoqëria jonë.

Kryeministri i parë shqiptar do të jetë Kryeministër për të gjithë dhe do të japë gjithçka nga vetja për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve. Siç po përpiqem edhe unë të bëj çdo ditë më shumë për Kërçovën. Dhe për të gjithë qytetarët shqiptar, kjo është thirrja ime: Ja, çfarë bëmë në Kërçovë. Me besimin të fuqishëm dhe me votë të bashkuar, ne mund ta arrijmë të njëjtën gjë në Maqedoninë e Veriut: Kryeministër të parë shqiptar! Faleminderit!

Baby Boo