David Geer: “BE-ja mbetet me Maqedoninë e Veriut”


Është në interesin e të gjithëve që negociatat të fillojnë tani. BE-ja mbetet me Maqedoninë e Veriut, ne jemi dhuruesi më i madh në vend dhe i mbështesim reformat në fusha të ndryshme, ndërsa investojmë edhe në infrastrukturë, vende pune dhe subjekte afariste, theksoi euroambasadori Dejvid Gir, në sesionin e parë të mbledhjes së 19-të të Komitetit të Përzier Parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BE, i cili u mbajt sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Duke folur në emër të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Komisionit Evropian, Gir tha se edhe përveç ngjarjeve të rëndësishme gjeopolitike të Samitit të BE-së, për fat të keq nuk mund të hapen negociatat inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke theksuar se përpjekjet janë në vazhdim.

“Jam i vetëdijshëm për valën e zhgënjimit politik. Shumica e kuptojnë se anëtarësimi në BE jep perspektivë më të mirë për stabilitet, prosperitet dhe për të ardhme demokratike të vendit. Jo, ata nuk mund ta kuptojnë pse vendi nuk mund të përparojë në rrugën drejt BE-së. Duhet të punojmë më mirë”, deklaroi Gir.

Euroambasadori Gir, gjithashtu, porositi se vendi ka përparuar në reformat gjyqësore, në zbatimin e strategjisë për reforma gjyqësore 2017-2022, duke e theksuar Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publik si shembull në rajon. Ai, gjithashtu, theksoi se përparimi në dixhitalizimin e gjyqësisë do të jetë i rëndësishëm për sigurimin e transparencës dhe efikasitetit, por edhe për ngritje të besimit publik në institucione.

“Ne presim që të kompletohet edhe numri i gjyqtarëve në Gjykatën kushtetuese, pa të cilët ai nuk mund të funksionojë”, deklaroi Gir.

Maqedonia e Veriut, vazhdoi ai, rregullisht dorëzon raporte për cilësinë e ajrit në Agjencinë Evropiane për Mjedis Jetësor, si dhe ka plan për zvogëlimin dhe menaxhimin me mbeturinat, por edhe progresin në ligjet për shpëtim dhe aktivizim të numrit evropian për thirrje urgjente 112.

“Në shëndetësi vendi solli strategji deri në vitin 2030 me plan aksional. Në këtë sektor ka humbje të personelit mjekësor. Maqedonia e Veriut u bë anëtare e mekanizmit për furnizime të përbashkëta dhe është vëzhgues në Komitetin për Siguri Shëndetësore, që jep qasje në sistemin për paralajmërim të hershëm”, deklaroi Gir.

“Shoqëria civile e gjallë dhe mediat profesionale”, theksoi Gir, janë thelbësore për demokracinë.

“Organizatat civile në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë t’i ndjekin politikat qeveritare dhe japin kontribut edhe në institucionet civile dhe shtetërore. Ato gjithashtu mund të jenë të vlefshme në luftimin e informacionit të rremë dhe gjuhës së urrejtjes. Parlamenti duhet të emërojë urgjentisht anëtarët e rregullatorit të medias dhe këshillat për shërbimet audio dhe audiovizuele, deklaroi Gir.

Vendi, theksoi Gir, ka përputhje qind për qind me politikën e përbashkët dhe të jashtme evropiane, dhe fundjava e punës muajin e kaluar nën dialogun Zhan Mone konfirmoi procesin e nisur në vitin 2018.

“Parlamenti, për fat të keq, është gjithnjë e më shumë viktimë e polarizimit politik mes pushtetit dhe opozitës. Kjo ka një ndikim serioz negativ në axhendën legjislative dhe ndikon në reforma më të gjera dhe ndihmën e nevojshme për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, deklaroi Gir.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq, theksoi se është shumë e rëndësishme të mbahet dhe plotësohet përcaktimi për inkuadrimin e vendeve nga Ballkani Perëndimor në familjen evropiane, të dhënë që në vitin 2003 në Samitin në Selanik.

“Kjo sot është më shumë se kurrë e nevojshme, e rëndësishme të ndodhë pa vonesë. Prandaj është e rëndësishme të bëjmë një hap në një drejtim pozitiv, i cili do të garantojë fuqishëm të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ne ishim vendi i parë në rajonin tonë që nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në vitin 2001, aplikuam për anëtarësim në vitin 2004 dhe u bëmë vend kandidat në vitin 2005 dhe në vitin 2009 morëm rekomandimin e parë pozitiv nga KE-ja për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Tani gjëja më e rëndësishme është të riafirmojmë vlerat evropiane, të vlerësojmë atë që kemi bërë dhe që vendet anëtare të përfundojnë këtë maratonë 18-vjeçare për të filluar negociatat”, deklaroi Mariçiq.

Në fillim të vitit, Mariçiq, tha se si Qeveri kanë filluar dialog të hapur dhe të sinqertë me Bullgarinë për gjetjen e zgjidhjes dinjitoze dhe të pranueshme për çështjet e hapura.

“Ne si Qeveri gjithmonë kemi marrë pjesë në mënyrë të arsyeshme dhe të hapur për të gjetur zgjidhje të arsyeshme, por megjithatë, nuk mund të pranojmë një propozim i cili shkon jashtë pozitave tona kombëtare”, deklaroi Mariçiq.

Pavarësisht rezultatit të presidencës franceze me BE-në, për të cilën tha Mariçiq, se mbetemi plotësisht të përkushtuar, ai theksoi se mbetemi të përkushtuar edhe në zbatimin e reformave dhe mbajtjen e kursit evropian të vendit.

Raportuesi i përhershëm i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Ilhan Quçuk, tha se Maqedonia e Veriut ka rol të rëndësishëm në kontekstin gjeopolitik.

“Fatkeqësisht, ne si Parlament Evropian nuk arritëm t’i bindim disa nga vendet anëtare, përfshirë edhe vendin tim, që të heqin veton shumë më herët, në mënyrë që të jepet drita jeshile për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të thirret konferenca e parë ndërqeveritare”, deklaroi Quçuk.

E dimë, theksoi Quçuk, se BE-ja ndonjëherë nuk arrin dhe dështon, por kur bëhet fjalë për standardet e larta demokratike dhe standardet e jetesës, BE-ja është ende përpara.

“Besoj se në të ardhmen BE-ja do të jetë vendi më i mirë për të siguruar interesat strategjike të këtij vendi, të qytetarëve tuaj. Apeli im sot është, le të bashkohemi se si të luftojmë korrupsionin, si të vendosim standarde më të larta demokratike dhe si ta reformojmë këtë vend dhe ta bëjmë atë më të mirë”, tha Quçuk.

Kjo situatë, theksoi ai, është humbje e trefishtë – humbje për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Bullgarinë dhe BE-në.

Baby Boo