Daniel Serwer: “Mosftesa e Kosovës në ‘Samitin e Demokracisë’ nuk ka të bëjë personalisht me Osmanin e Kurtin”


Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, në një bisedë tha se mos ftesën e Kosovës në samitin e dhjetorit në SHBA nuk e sheh personale me Kryeministrin Albin Kurti e Presidenten Vjosa Osmani. Por, ai e sheh veç si mesazh se vendit i duhen ende punë për konsolidimin e demokracisë dhe se Kosova e ka ende sfidë të madhe korrupsionin, megjithëse sipas tij “qeveria aktualisht po e lufton”.

Sipas profesorit amerikan dhe ekspertit politik për Ballkanin, Daniel Serwer, arsye e cila do të mund të cilësohej si pengesë për Kosovën për mos t’u thirrur nga Shtëpia e Bardhë në samitin e Demokracive është korrupsioni, dhe mos ftesa është mesazh se “Nëse dëshironi të jeni në klubin demokratik, duhet të siguroni jo vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një shoqëri më të hapur dhe pluraliste”. Ndonëse, ai e thekson që sipas tij Qeveria aktuale në Kosovë është duke e luftuar korrupsion.

“Mosftesa, për mendimin tim, nuk i drejtohet personalisht Presidentit dhe Kryeministrit [të Kosovës]”, ka thënë të premten Serwer në një bisedë me Gazetën Online Reporteri.net. Ai ishte pyetur nga gazeta nëse ky rast mund të ishte “një shuplakë” për liderët kosovarë, siç u interpretua në opinion publik në Kosovës lajmi për mos ftesën e Kosovës në samitin e Demokracive, i paraparë të mbahet muajin tjetër në SHBA.

Ish-diplomati në përgjigjen e tij njofton se se Presidentja Osmani javën e ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Washington DC, ku sipas tij përveç se do të mirëpritet ajo do të merret edhe me çështje, siç i ka quajtur ai “të vështira”.
“Presidenti Osmani javën e ardhshme do të jetë në DC. Pres që ajo të pritet ngrohtësisht por edhe të merret me çështje të vështira”, tha Serwer për Reporteri.net.

Gazeta Online Reporteri.net ka raportuar të premten se Presidentja e vendit do të udhëtojë javën tjetër për në SHBA. Krejt çka dihet deri tash rreth kësaj vizite është se Osmani do të marrë pjesë, të hënën, si folëse në një diskutim të organizuar nga Instituti për Politikë të Jashtme – SAIS, institut ku Daniel Serwer është i angazhuar si hulumtues.

Tutje, ish-diplomati amerikan, duke komentuar lënien e Kosovës jashtë listës së të ftuarve, bashkë me Serbinë e Bosnjën, në mesin e 100 shteteve të ftuara në Samitin e Demokracive që do të mbahet në dhjetor të këtij viti në SHBA, i ka numëruar ato që ai i quan sfida të ndryshme për këto tre vende.

“Secila ka sfidat e veta: për Kosovën, më e madhja është korrupsioni, të cilin qeveria aktualisht po e sulmon; për Bosnje dhe Hercegovinën, çështja kryesore është kushtetuta, e cila siguron dominimin e partive politike nacionaliste etnike; në Serbi, përveç gjykatave dhe mediave, ekziston dështimi për të njohur të kaluarën e saj dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të padrejtë në vendet fqinje”, ka thënë ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, të premten.

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, ka shtuar se asnjëra nga këto shtete, sipas tij, nuk kanë një demokraci tërësisht të konsoliduar, por që ai potencoi se Kosovën dhe Bosnjën nuk do t’i vendoste në një kategori të njëjtë me Serbinë. Sipas tij, Serbia ka vendosur kontroll mbi mediat dhe gjykatat.

“Asnjë nga këto vende nuk është një demokraci plotësisht e konsoliduar, megjithëse unë do ta vendosja Kosovën dhe Bosnjën në një kategori të ndryshme nga Serbia, e cila de facto ka rivendosur kontrollin autokratik mbi mediat dhe gjykatat. Kjo nuk është aq e vërtetë për Kosovën dhe Bosnjën”, tha eksperti politik.
Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar që të marrë qëndrim nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.

MOSFTESA NË SAMITIN NË SHBA, DANIEL SERWER: KOSOVA E KA ENDE SFIDË KORRUPSIONIN, TË MERRET SI MESAZH
“Smund të akomodohen të gjithë partnerët në një samit”
Sot një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë ka deklaruar për mediat lokale se Samiti për Demokraci i Presidentit Joe Biden është nismë që megjithatë s’mund t’i akomodojë të gjithë partnerët, pasi qëllimi ka qenë që të përfshihen demokracitë me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë.

“Samiti i Presidentit për Demokraci është njëra nga shumë nismat e ShBA-së, të përqendruara në avancimin e demokracisë, luftimin e korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut përreth globit. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë. Qëllimi ka qenë që të bëhet bashkë një grup rajonal e socio-ekonomik i vendeve e juridiksioneve, që i përfshin demokracitë me themele të mira si dhe demokracitë në shfaqje e sipër me llojllojshmëri të madhësisë së popullsisë, demografi e vendndodhje”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.

Tutje, nga ambasada amerikane në Prishtinë, përmes zëdhënësit ka thënë se presidenti Biden në adresimin e tij për Kosovën ka deklaruar se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm gjatë dy dekadave.
“Siç theksoi Presidenti Biden në adresimin e tij me video në gusht, Kosova ka bërë “progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 vjetëve” duke ndërtuar një demokraci të rigjenerueshme e multietnike”, ka thënë ai.
Po ashtu në deklaratën e zëdhënësit të ambasadës amerikane thuhet se SHBA si partnere të palëkundura të Kosovës mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën.

“Si partnere të palëkundura të Kosovës, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Kosovën në forume të tjera për avancimin dhe fuqizimin e demokracisë, parandalimin e regresit demokratik, promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit në mënyrë që së bashku të mund të dëshmojmë se demokracitë i plotësojnë nevojat e popujve të tyre”, ka thënë ai.

Samiti për Demokracinë, çka dihet deri më tash
Lista e shteteve që janë ftuar është publikuar nga mediumi amerikan “Politico”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të organizojë një “Samit për Demokracinë” më 9 dhe 10 dhjetor, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë krerë të shteteve, përfaqësues të shoqërisë civile, ata të sektorit privat dhe filantropistë, njoftoi të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

Samiti planifikohet të mbahet online.
“Samiti do të nxisë angazhimet dhe nismat në tri tema kryesore: promovimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen kundër autoritarizmit dhe luftimin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden planifikon që një vit pas këtij samiti të organizojë edhe një takim me prani fizike, në mënyrë që të diskutohen angazhimet që janë ndërmarrë.

Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë nuk jepen detaje për listën e vendeve të ftuara në samit, i cili po shihet si një alternativë e G20-ës dhe një sfidë ndaj Kinës.
Grupi G20, përbëhen nga vendet më të fuqishme ekonomike në botë, përfshirë regjimet autoritare si Kina dhe Arabia Saudite.

Biden ka thënë se “sfida e kohës sonë është të dëshmohet se demokracitë mund të merren me përmirësimin e jetës së njerëzve duke adresuar problemet më të mëdha me të cilat përballet bota.
Shtëpia e Bardhë tha se samiti është “një mundësi që udhëheqësit botërorë të flasin për sfidat me të cilat përballet demokracia, të dëgjojnë njëri -tjetrin dhe qytetarët e tyre si dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar”.

“Mosftesa e Kosovës në samit, sinjal i keq për marrëdhëniet me SHBA-në”
Se pse Kosova nuk është ftuar në Samitin e Demokracive të organizuar nga SHBA-ja ka reaguar analisti i çështjeve politike dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi.

Maliqi ka shkruar në Facebook se mospërfshirja e Kosovës në këtë Samit është sinjal i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe kjo duhet të lexohet si kambanë alarmi.
“Mirëmëngjes popull liridashës. Kjo është sipas një raporti të Politico harta e shteteve në Evropë të cilave SHBA u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive në dhjetor. Mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe duhet të lexohet si këmbanë alarmi”, ka shkruar Maliqi.

Reagim ka pasur edhe nga analisti Blerim Latifi.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka thënë se arsyeja se pse Kosova nuk është ftuar nga SHBA-ja është për shkak të hezitimit të Qeverisë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ëashingtonit dhe refuzimit të projektit të gazsjellësit.

“E Kosova? Pse nuk është ftuar? Jo për shkaqe që lidhen me sistemin demokratik, por për hezitimet e qeverisë rreth zbatimit të Marrëveshjes së Ëashingtonit, të shtatorit 2020, dhe refuzimin e projektit amerikan të gazsjellësit. Ne, shpesh, i ngjajmë atij fëmijës i cili duke pasur dashurinë e plotë të babait, nuk mund ta imagjinojë dot se një ditë mund të ndëshkohet prej tij për sherret që i bën herë pas here”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Nga ana tjetër sipas gazetarit Adriatik Kelmendi vendosja e Kosovës në grup me Serbinë, Bosnjën dhe Hungarinë është shuplaka më e rëndë për vendin.

“Lajmi më i keq i kohëve të fundit për Kosovën ndodhi sot. Me të vendosë Amerika e Bidenit në një grup me Serbinë e Vuçiqit, Bosnjën e Dodikut dhe Hungarinë e Orbanit është shuplaka më e rëndë që mund ta marrim. Mosftesa për pjesëmarrjen në Samitin e Demokracive është përgjigjja e Shtëpisë së Bardhë për papërgjegjësinë e lartë të Kosovës në planin e politikës së jashtme. Nëse edhe kjo shuplakë nuk na kthjellë atëherë vërtet nuk meritojmë më mirë – mbesim gjysmështet/gjysmëhajgare, të vetmit pa liberalizim vizash, pa anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, duke ia nxjerrë sytë njëri-tjetrit në geto mizerie”, ka shkruar ai në facebook.

Baby Boo