Dalin faturat e Thaçit në restorante, ka paguar dy herë për një drekë


Hashim Thaçi dyshohet se kishte paguar dy herë për një drekë të vetme që e kishte ngrënë me njerëzit e tij në tetor të vitit 2011, kur shërbente si kryeministër i vendit.

Fatura të cilën e ka publikuar sot Kallxo.com, tregon drekën luksoze që Hashim Thaçi, asokohe si kryeministër, e kishte paguar dy herë nga 1 mijë e 85 euro e 30 cent (1,085.30) me para të shtetit. Në total, shifra e së njëjtës drekë të Thaçit kishte shkuar në 2 mijë e 170 euro e 60 cent (2,170.60).

Dyshimi bazohet në faktin se në faturë figuron dy herë i njëjti çmim i drekës, mirëpo ndryshon përshkrimi lidhur me këto shpenzime. Në faturë theksohet se Thaçi harxhoi 1,085.30 euro për “drekë zyrtare” më datë 5 tetor 2011 dhe po ashtu figuron edhe një drekë tjetër për “Restaurant Puro” në po të njëjtën ditë; me po të njëjtin çmim.

Sipas dokumentit, dyshohet se Zyra e Kryeministrit Thaçi i kishte paguar mbi 2 mijë euro restorantit “Puro” në Prishtinë për një drekë të vetme që kishte kushtuar 1 mijë e 85 euro.

Fatura tregon se Thaçi dhe njëerëzit e tij kishin konsumuar tri lloj verërash italiane, “Marchesi de Frescobaldi” e cila kushtoi 55 euro; “Sessantanni” e cila kushton 48 euro dhe “Cicnis” e cila kushton 42 euro.

Në total këto verëra i kanë kushtuar arkës së shtetit rreth 500 euro, ose gjysma e totalit të faturës.

Në këtë drekë zyrtare, burrështetasit veç verërave italiane, kanë konsumuar edhe karkaleca deti, peshk levrek, file salmoni, file viqi, rucola sallatë e deserte të ndryshme.

Baby Boo