Flamuri kombëtar i Shqipërisë ishte në qendër të fitores 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë të premten, pasi dy lojtarë bënë gjestin nacionalist shqiptar me dorë.
Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri festuan golat e tyre duke treguar trashëgiminë e tyre etnike shqiptare.
Të dy futbollistët kanë bërë shqiponjën, një simbol ky që identifikon flamurin e Shqipërisë.
Kështu e përshkruan britanikja Daily Mail, festën e djemve shqiptarë për fitoren e Zvicrës, e cila shokoi Serbinë në Rusi, përcjell Bota sot.
“Mendoj për këtë, nuk dua të flas”, tha Shaqiri, i cili gjithashtu hoqi fanellën e tij pas shënimit të . “Në futboll, ti gjithmonë ke emocione. Ju mund të shihni se çfarë kam bërë, dhe kjo është vetëm emocion, dhe unë jam i lumtur që kam shënuar. E bëra, dhe ne nuk duhet të flasim për këtë “.
Mirëpo, sipas Daily Mail, gjesti i djemve shqiptarë, mund të ndezë tensionet midis nacionalistëve serbë dhe shqiptarëve. Shaqiri ka lindur në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet midis dy vendeve mbeten të tensionuara.
Prindërit e Xhakës, shkruan më tej Daily Mail, janë me origjinë nga Kosova. Vëllai i tij luan për ekipin kombëtar të Shqipërisë.
Vitet e luftës në Ballkan dërguan shumë familje në vendet e Evropës Perëndimore, duke përfshirë Zvicrën. Zvicra ka dhjetëra shqiptarë etnikë në programin e tyre kombëtar të futbollit.
Lojtarët e Serbisë nuk reaguan ndaj gjesteve me shqiponjë në stadiumin Kaliningrad.
“Nuk kam asnjë koment”, tha trajneri i Serbisë, Mladen Krstajiç. “Unë nuk merrem me këto gjëra. Unë jam një njeri sportiv, dhe kjo është ajo që unë do t’i përmbahem”.
Fillimisht ishte Xhaka, ai që barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 52 me një gjuajtje të fuqishme. Shaqiri e shënoi tjetrin në minutën e fundit, duke lënë të shtangur mbrojtjen e Serbisë.
Festimet e tyre ishin emocionale, mirëpo sipas mediumit britanik, ato mund të errësonin fitoren e Zvicrës.
“Ju kurrë nuk duhet të përzieni politikën dhe futbollin. Duhet të tregoni gjithmonë respekt”, tha trajneri i Zvicrës Vladimir Petkoviç. “Është një atmosferë e mrekullueshme dhe një përvojë pozitive dhe kjo është ajo që duhet të ketë futbolli”.
Aleksandar Mitrovic shënoi për Serbinë me kokë në minutën e pestë.
Fitorja e vë Zvicrën në vendin e dytë në Grupin E me katër pikë, njëjtë si Brazili.
Zvicra do të vazhdojë tutje në fazën e të 16-tës nëse ajo mposhtë Kosta Rikën të mërkurën në Nizhny Novgorod. Serbia do të përballet me Brazilin në Moskë në të njëjtën kohë.