COVID-19, vizitat shtëpiake të pamundura në Kumanovë


Këtë uniformë të veshur duhet ta mbajnë për rreth 12 orë sa punojnë në terren. Detyra e tyre e përditshme është të realizojnë afër 130 vizita në shtëpitë e pacientëve të infektuar me virusin korona. Shtatë ekipet mobile në Kumanovë përpiqen tu japin terapinë ditore pacientëve me simptoma të lehta që janë në kurimin shtëpiak. Se sa e kanë të pamundur ti arrijnë të gjitha nevojat e qytetarëve, tregon edhe udhëheqësi i këtij sektori Avdulla Sadiku, duke shtuar se distanca ndërmjet adresave iu merr shumë kohë.

“Vizita shtëpiake punon nga 7 mëngjes deri 7 mbrëmje, por këto 2 javë e fundit ndodh që mbetemi në teren deri ora 9 të natës. Kërkesa është shumë e madhe deri më tani po japim maksimumin por kemi edhe ne ngarkesë. Ekipet dalin në terren nga ora 9, sepse fillimisht pranojnë pacientë dhe në teren deri ora 3 mund të ndodh që të mos pijë ujë e as nuk mund të hajë se janë të mbërthyer me pajisjet mbrojtëse- deklaroi Avdulla Sadiku, Mjek në “Ndihmën e Shpejtë” Kumanovë

Por, në pamundësi që të gjithë pacientët të kurohen në kushte shtëpiake, disa prej pacientëve pozitiv me kovid vijnë edhe nëpër shtëpinë e Shëndetit në Kumanovë. Shqetësimi i autoriteteve që mos të përhapet virusi korona edhe te pacientët që vijnë të marrin shërbime të tjera ambulantore, ka bërë që të krijojnë hapësira shtesë të improvizuara.

“Nuk kemi pasur mekanizëm që ti ndalojmë apo ti kontrollojmë se siç e dimë tash vetëm temperatura nuk është simptomë apo paralajmërim se pacienti është i sëmurë me kovid. Përveç asaj mbrapa kemi paraparë edhe një auto-ambulancë ku do të kryhen shërbimet sepse i plotëson standardet që në shpejtësi të madhe dhe me qëndrim më të shkurtër të pacientit me kovid që të ruajmë sigurinë e pacientëve tjerë, të cilët vijnë këtu- pohoi Faruk Alili, Drejtor i “Shtëpisë së Shëndetit” Kumanovë.

Kumanova mbetet një zonë e kuqe në përhapje të virusit korona, ku vetëm muajin e fundit janë dyfishuar shifrat. Pas Shkupit dhe Tetovës, ky qytet renditet me mbi 3500 të diagnostikuar, prej tyre mbi 900 raste aktive. Që nga fillimi i pandemisë në Kumanovë kanë ndërruar jetë mbi 120 pacientë, ku mortaliteti është 86% i atyre me komorbiditete që e pësuan nga ky virus./Alsat

Baby Boo