Covid-19, situatë shqetësuese në Shtip (VIDEO)


Pjesa më e madhe e qytetarëve të infektuar me Kovid 19 nga Shtipi janë me pasqyrë të lehtë klinike. Gjysma e të infektuarve të djeshëm ose 30 pacientë tashmë janë hospitalizuar në Spitalin klinik në Shtip.

Kapacitetet e spitalit në Shtip janë thuajse të mbushura meqë në të kurohen edhe të infektuarit nga Koçani, Probishtipi, Radovishi, Sveti Nikolla dhe nga Berova, konfirmoi për Alsat drejtoresha e Qendrës së shëndetit publik Shtip, Marija Dimitrova. Dimitrova bën thirrje: është koha e fundit për ndërgjegjësimin e qytetarëve. Në Shtip, siç shprehet, banorët nuk i respektojnë sa duhet masat, rrallëkush mban maskë mbrojtëse. Nga ana tjetër një pjesë e madhe e banorëve të Shtipit ende pohojnë se virusi korona nuk ekziston dhe se bëhet fjalë për komplot global.

Kryetari i Shtipit Bllagoj Boçvarovski deri tani nuk do të propozojë masa më restriktive deri te komisioni për sëmundje mbrojtëse për banorët e Shtipit. Është i vetëdijshëm se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk i respektojnë masat për mbrojtje, por paralajmëroi kontrolle të përforcuara dhe gjoba për secilin që do t’i shkelë protokollet e sjelljes në pandemi. Boçvarovski shprehet, se askush nuk do të jetë i kursyer.

“Në momentet kur ishim të disiplinuar dhe kur jemi të disiplinuar nuk kemi përhapje të këtij virusi, atëherë kemi me të vërtetë numër më të vogël të të infektuarve të rinj. Vallë pas një kohe më të gjatë ndodhë edhe lodhje te popullata nga të gjitha këto masa ndaj edhe prej disa karantinave që i kishim në shtet. Me siguri kalohet drejt përdorimit të dobët të masave mbrojtëse dhe po na ndodhë rikthimi i kësaj vale“- tha Bllagoj Boçvarski, kryetar i Shtipit.

Kristina Ampeva nga shoqata “Glasen Tekstilec” i bëri thirrje publikisht Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, që të angazhohet Qeveria për të prezantuar protokollet për punë në fabrikat e tekstilit. Ampeva thotë se pas ndalesave që u aplikuan, tani përsëri furgonët që transportojnë punëtorë në konfeksione përsëri janë përplot. Filipçe sot konfirmoi që shumica e të infektuarve janë nga disa konfeksione nga Shtipi. Tridhjetë nga të infektuarit janë nga një fabrikë që nuk ka punuar për tetë ditë pas skriningut të 100 punonjësve. Filipçe pretendon se gjërat janë nën kontroll, por po mendohet nëse duhet të mbyllen edhe konfeksionet e tjera në këtë qytet, si masë parandaluese. Ditët e fundit, numri i të infektuarve me Kovid 19 është rritur ndjeshëm në fabrikat e tekstilit në Sveti Nikollë.

Baby Boo