Çmime më të ulëta të roamingut me vendet e rajonit


Prej sot çmimet e shërbimeve të roamingut me Serbinë, Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën, Shqipërinë dhe Malin e Zi janë ulur në mënyrë drastike. Thirrjet e nisura telefonike drejt këtyre vendeve janë ulur për rreth 70 për qind, e nga ana tjetër thirrjet e ardhura telefonike janë më të lira për mbi 30 për qind. Porositë SMS kanë ulje për 70 për qind, ndërsa me çmimet e reja për 90 për qind është liruar shfrytëzimi i internetit jashtë vendit. Në përgjithësi, ulja për të gjitha shërbimet e roamingut në Shqipëri dhe Kosovë janë mbi 93 për qind.

Konkretisht për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, do të mund të bëjnë thirrje drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor me çmim prej 5,05 denarëve për një minut me TVSH të përfshirë, për çka çmimi i deritanishën në mesatare ishte 75,4 denarë. Do të mund të pranojnë thirrje në të cilindo nga këto vende me çmim prej 2,9 denarëve për një minutë me TVSH, në vend të çmimit të deritanishëm prej 30,2 denarë dhe të dërgojnë porosi SMS me çmim prej 2,6 denarëve me TVSH, në vend se deri tani prej 16,1 denarëve. Do të mund të shfrytëzojnë internet me çmim prej 1,9 denarëve për një Megabajt me TVSH të përfshirë- deklaroi Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Kompanitë e biznesit të telekomunikimit nga vendi Telekom dhe ONE-VIP pranojnë se me këtë përfitim për qytetarët ata humbin nga fitimi i tyre. Por, shprehen se e kanë mbështetur në tërësi iniciativën qeveritare për çmime të ulëta të shërbimeve të roamingut. Por, operatorët nuk u përgjigjën nëse do të marrin lehtësime nga Qeveria, të cilat i kërkuan para se të pajtohen që t’i ulin çmimet.

Prioritet kulmor për ne është përvoja e shfrytëzuesve dhe gjithçka që shkon në përmirësimin e përvojës është pozitive. Në të gjitha përmirësimet tjera jemi në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë dhe presim efekte pozitive- tha Elena Panova, drejtore e marketingut dhe shitjes e ONE-VIP

Ky është projekt i partneritetit dhe ne gjithsesi do të punojnë në favor të shfrytëzuesve. Për çdo gjë tjetër mund të gjenden zgjidhje të përbashkëta- pohoi Elena Velevska, Telekomi i Maqedonisë, marrëdhënie me publikun.

Ndryshe, ministri Damjan Mançevski në emisionin Magazina ekonomike në Alsat deklaroi se dy kompanive do t’u anulohen taksa të caktuara ndaj shtetit. Me marrëveshjen të cilën e nënshkruan vendet e Ballkanit Perëndimor nga 2021 parashihet anulimi i roamingut me të gjitha vendet e rajonit, përveçse me shtetet anëtare të BE-së. Mançevski ceku se janë duke u bërë përpjekje që në periudhën e ardhshme prej një viti e gjysmë të gjendet zgjidhje për uljen e këtillë drastike të çmimeve të shërbimeve të roamingut me Greqinë dhe me Bullgarinë. Kur Maqedonia do të hyjë në BE atëherë do të ketë roaming falas edhe me vendet anëtare.

Baby Boo