Civil me mbi 200 persona do ta vëzhgojë referendumin


Më shumë se 200 vëzhgues vendorë të akredituar të CIVIL – Qendrës për liri do të ndjekin referendumin më 30 shtator.

Siç kumtoi CIVIL, tashmë kanë shpërndarë mbi 30 vëzhgues aktivë afatgjatë nëpër tërë vendin, detyra e të cilëve është vëzhgim i procesit të zbatimit të përgatitjeve të referendumit në disa aspekte, ndërsa veçanërisht në aspektin e respektimit të së drejtës së votës.

Monitorimi i CIVIL-it, siç theksojnë, është jopartiak, objektiv dhe neutral, ndërsa raportet nga puna në terren janë në dispozicion në platformën mediatike të organizatës. Qëndrimet dhe analizat botohen në rubrika të ndryshme të platformës mediatike dhe jo çdoherë përputhen me qëndrimet e CIVIL-it.

Nga Qendra apelojnë se si në proceset e kaluara zgjedhore, votuesit të shfrytëzojnë të drejtën e votës, lirshëm dhe pa frik dhe paragjykime. Çdo formë të presionit apo të kërcënimit të raportojnë tek CIVIL në ueb faqen Zgjedhje të lira apo në telefonin: 070 461 480 dhe 02 5209 176.

“Qëndrim i fuqishëm i organizatës është se duhet të votohet në Referendum, sepse referendumi është forma e demokracisë direkte dhe nuk duhet të humbet kjo mundësi për tu bërë pjesë e sjelljes të një vendimi të jashtëzakonshëm strategjik për vendin. Çdo individ duhet të bëjë një zgjedhje informuese sipas bindjes së vet personale, PËR apo KUNDËR, pa frikë, pa presion dhe kërcënime. Edhe pse është e drejtë demokratike e çdo individi, CIVIL nuk rekomandon abstenim të votimit. Institucionet, mediat dhe organizatat civile po mundohen që t’ju mundësojnë votuesve informacione relevante dhe të qarta rreth procesit”, theksojnë nga Qendra për liri.

Në kumtesë theksojnë se një nga argumentet e shumta kundër bojkotimit të Referendumit është edhe se qytetarët nuk duhet të lejojnë që dikush tjetër të vendosë për ata, por ata vetë të jenë pjesë e proceseve demokratike për sjelljen e vendimeve. CIVIL nga strukturat të cilat përhapin gjuhën e urrejtjes dhe lajme të rreme kërkon që të ndalen me sulmet e tyre, sepse me atë e fyejnë shumicën e qytetarëve të cilët dëshirojnë të sjellin vendimin e tyre personale dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të pacenueshme për votim./PC

Baby Boo