Çfarë po ndodh me ne


Shkruan: Iljasa Salihu

Shkoj për t’i blerë disa gjësende. Përmes blerjes, mes tjerash dua ta ndihmojë edhe xhepin e shqiptarit. Ç’ta shohësh shitësin? Buzëqeshja i kishte marr arratinë diku larg, fjalët mikpritëse ia kishte burgosur zemra e tij e ngushtë.
Më duhet një mjeshtër për një punë në shtëpi. E marr në telefon, më thotë që nesër gjithqysh vjen. Jo të nesërmen, por pas dy javëve vjen dhe të del përpara thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Druan ta hidhërosh se me lehtësi ta braktisë punën dhe golgota e gjetjes së një mjeshtri tjetër zgjatë shumë, sidomos në kohën kur mjeshtrit me të madhe kanë filluar të largohen prej vendlindjes.
Shkoj në një kafene, gjoja pak për t’u çlodhur! Pas nja dhjetë minutash më afrohet shërbyesi. Më afrohet, por asgjë nuk më ofron. Duket se muskujt e gojës i kishin marrë ndezje. Më pret ta bëj porosinë, pa më përshëndetur fare dhe pa më thënë se çfarë dëshiroj. Ç’të bëj, pas pak dal prej kafenesë me nerva në kryengritje, edhe pse kisha shkuar aty për t’u çlodhur pak.
Shkoj të premten në xhami. Në vend se shpirtin e trazuar sadopak ta qetësojë, aty më duhet të përballem me festimin e përvjetorit të dështimit të puçit në Turqi.
Me disa shokë e kishim organizuar një lojë futbolli. Nisem pak më herët dhe meqë kisha pak kohë, vendosa ta shikoja lojën që luhej para nesh. Ç’të shohësh e ç’të dëgjosh. Sharje nga më të fëlliqa, britma të Tarzanit dhe fare pak lojë të futbollit.
Me disa miq të ngushtë, shkojmë te një pendë për të notuar e për t’u freskuar. Qysh në hyrje shihet asfalti i hollë, vende-vende i bërë përshesh, të krijohej përshtypja se një i uritur kishte ngrënë pite. Aty e sheh korrupsionin, mbase pasojat e korrupsionit. Aty nuk gjen dot shportë për mbeturina, thuajse aq shtrenjtë kushtojnë disa shporta. Për më keq, aty vështirë është të gjesh njerëz me kulturë publike dhe ekologjike. Shahen, bërtasin, hanë e mbeturinat lirshëm i hedhin në breg të pendës. Përtojnë, mbase as që i shkon mendja ta marrin një qese për t’i grumbulluar mbeturinat dhe në fund duke shkuar për në shtëpi t’i hedhin në ndonjë kontejner publik, edhe pse ato janë të paktë në rajonin muze. Duke u kthyer për në shtëpi, shoh vetura të shtrenjta, të cilat nuk çajnë kokën për rrugët e ngushta e të parregulluara, por ngasin me një shpejtësi të paparë, kur papritmas e shoh një të tillë seç kishte hyrë për t’i lëruar arat.
Pas pak e hapi fejsbukun. Me qindra fjalë të arta lexoj. Secili më filozof se Seneka, por në anën tjetër – praktike, punët mbeturinë e shkuar mbeturinë. Çfarë shkarje e çfarë hipokrizie!
Më vete mendoj, jo, jo, nuk janë më të këqij se ne politikanët. Madje, ata janë ne dhe ne jemi ata. Jemi sikurse iriqët, që ferrat më shumë se pllajat i duan. I mërzitur dhe i shkërmoqur prej kësaj sferë pa atmosferë, i shkruaj një letër me vërejtje, këshillë dhe kritikë një deputeti të cilin e njihja më herët, edhe pse doli që nuk e kisha njohur sa dhe si duhet. Thjesht, i shkruaj duke pasur për qëllim mundësinë e ndryshimit. Sakaq, më thotë, “më ofendove me këtë letër”. O Zot, në mos kam rrëshqitur unë e nuk jam duke e ditur!

Baby Boo