Çfarë pas gjendjes së jashtëzakonshme? Juristi Zyberi nxit nevojën për miratim të një ligji


Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të mund të miratojë më dekrete, sepse me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, asaj i merret kjo e drejtë dhe i vetmit që mund të miratojnë ligje, do të jetë sërish Kuvendi.

Nuk dihet nëse do të vazhdojnë të vlejnë dekretet që i miratoi Qeveria gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, pasi fati i tyre nuk është definuar qartë në Kushtetutë, e ndërkaq në vendin tonë nuk ka Ligj për gjendjen e jashtëzakonshme me të cilin do të definoheshin këto çështje.

“Kushtetuta këtu ka zbrazëtirë juridike dhe kjo zbrazëtirë është rezultat apo produkt i faktit se Maqedonia e Veriut nuk ka Ligj i cili e rregullon gjendjen e jashtëzakonshme. Si funksionojnë institucionet, sa zgjasin dekretet që sillen dhe në çfarë sferash mund të sillen dekretet me fuqi ligjore që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme,” tha Naser Zyberi, jurist.

Shfuqizimi i dekreteve do të largonte nevojën për verifikimin e tyre nga ana e parlamentit. Sipas juristit Zyberi, pas kësaj situate duhet të verifikohet vetëm vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, por jo edhe miratimi i dekreteve.

“Unë personalisht mendoj se të gjitha dekretet e sjella në gjendjen e jashtëzakonshme, duhet të ndalojnë të vlejnë me ndërprerjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe ato nuk duhet t’i nënshtrohen verifikimit nga ana e parlamentit, sepse ato janë ndryshime emergjente të imponuara nga gjendja e jashtëzakonshme dhe si të tilla duhet të ndërpriten me ndërprerjen e gjendjes e jashtëzakonshme. Ndërsa vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, detyrimisht duhet ta konfirmojë Parlamenti,” tha Naser Zyberi, jurist.

Megjithatë ai vlerëson se kjo situatë e adresoi nevojën për miratim të një Ligji për gjendjen e jashtëzakonshme, i cili do të definonte qartë kompetencat e secilit institucion në raport me atë se kush dhe çfarë dekretesh mund të miratohen në situatë të gjendjes së jashtëzakonshme dhe sa do të vlenin të njëjtit.

Gjendja e jashtëzakonshme përfundoi, sepse presidenti Stevo Pendarovski vlerësoi se nuk ka nevojë ta vazhdojë të njëjtën.

Baby Boo