Çfarë është gjendja e jashtëzakonshme? Maksuti: Qeveria ka të drejtë të sjellë dhe të ndryshojë ligje


Eksperti juridik Mersim Maksuti shpjegon situatën momentale në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij nga momenti i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme vlejnë rregulla të reja dhe kompetencat e Parlamentit i kalojnë Qeverisë. Maksuti thotë se pushtetin në dore e ka Qeveria dhe sipas nevojës mund të sjellë ligje dhe t’i ndryshoj ato ekzistuese.

“Qeveria fiton të drejtën që të sjellë urdhëresa me fuqi ligjore. Kjo do të thotë që do të nxjerrin urdhëresa që do të kenë fuqinë e ligjit. Tash e tutje Qeveria jo vetëm që ka të drejtë të nxjerrë urdhëresa për rregulla të reja komfor situatës si do të ballafaqohet ajo, madje Qeveria në gjendje të jashtëzakonshme ka të drejtë që edhe të ndryshoj ndonjë ligj, ose ta plotësoj ndonjë ligj i cili ligj bie në kundërshtim dhe pengon situatën për ballafaqimin me pandeminë”, tregoi Maksuti.

Eksperti Mersim Maksuti thotë se do të këtë kufizim të lëvizjes së qytetarëve, por atë do ta përcaktojë Qeveria sipas situatës me pandeminë që mbizotëron në vend.

“Nuk dua të krijoj panik, meqë Qeveria me nxerrjen e këtyre akteve, me kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, do të veprojë sipas gjendjes, situatës të cilën e ka. Besoj se nuk do të jetë drastike sidomos në fillim. Duhet të kihet shumë kujdes me zbatimin e kufizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve”, deklaroi Maksuti.

Kjo gjendje i ndihmon qeverisë që ti ketë duart e lira që juridikisht të veprojë dhe ndërmarrë të gjitha masat që duhet për tu përballur me situatën.
“Dua të sqaroj edhe këtë situatë, se ne nuk kemi ligj për gjendjen e jashtëzakonshme. Në situate kur nuk kemi ligj për gjendjen e jashtëzakonshme, Qeveria edhe më shumë i ka duart e lira, sepse nuk ka kufizime”, tha Maksuti.

Maksuti gjithashtu tha se Qeveria mund të nxjerrë urdhëresa për marrje të mjeteve buxhetore për nevoja shëndetësore ose ekonomike, varësisht nga dëmet ose gjendjes me virusin korona.
Sipas Kushtetutës, gjendje e jashtëzakonshme shpallet respektivisht konstatohet kur kemi të bëjmë me fatkeqësi të mëdha natyrore ose epidemi, sipas nenit 125. Shpallja apo më saktë konstatimi i gjendjes së jashtëzakonshme, përcaktohet nga Kuvendi me propozimin e Presidentit të Republikës, Qeverisë ose të paktën 30 deputetë të Kuvendit.
Që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, fillimisht, Ministria e Shëndetësisë duhet të shpall epidemi, por në rastin konkret madje kemi të bëjmë me pandemi të shpallur nga vetë Organizata Botërore e Shëndetsisë.
Më tej, Kushtetuta përcakton se: “Vendimi për konstatimin e gjendjes së jashtëzakonshme miratohet nga 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve dhe do të zgjas të paktën 30 ditë”

Baby Boo