Çështja e veteranëve, sërish në fokus


Çështja e listave të fryra të veteranëve, është rikthyer risht në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përkatësisht degët e Dukagjinit, kanë reaguar pas publikimit të emrave të veteranëve mashtrues, duke e vënë në pikëpyetje punën e institucionit të prokurorisë, më saktë, duke e quajtur punën e tyre si cirk. OVL e UÇK-së (që i përshirë Deçanin, Pejën, Gjakovën dhe Istogun), nëpërmjet këtij reagimi, ndër të tjera ka thënë se: “Gjahu i shtrigave” po vijon edhe këto ditë nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe mediat. Shenjë kjo që kjo sagë, me shumë gjasa, do të vazhdojë edhe për shumë ditë – shkruan Gazeta e Re.

OVL e UÇK-së së Dukagjinit i është kundërpërgjigjur me akuza të rënda aktakuzës së prokurorisë, pas publikimit të listave të “veteranëve të rrejshëm”. Nëpërmjet një reagimi, kjo organizatë ka thënë se: “Gjahu i shtrigave, që filloi menjëherë pas luftës nga misionet ndërkombëtare, tani po vazhdon nga faktorët vendorë: Prokuroria Speciale e Kosovës dhe mediet. Aktakuzën dhe emrat që u publikuan, tregojnë se sa qesharake e joprofesionale është puna e Prokurorisë, e gjithashtu sa joprofesionale dhe tendencioze është paraqitja e gjithë kësaj nga mediet elektronike e të shkruara.”

Sa i përket ZO të Dukagjinit, përfshirja në listë e pothuajse shumicës së luftëtarëve më të dalluar, tregon se kjo listë është vetëm një fabrikim, në vazhdën e luftës speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa asnjë fije turpi, duke mos shikuar se a lëndojnë ndjenjat e luftëtarëve, paraqitja në disa media e veteranëve të luftës, që sakrifikuan më së shumti për lirinë tonë, si “veteran mashtrues”, përpos që është manipulim me qytetarët, është ofendimi më i rëndë për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me aktivitetin e tyre, mundësuan krijimin e shtetit demokratik dhe lirinë e shprehjes. Jemi shokuar, kur kemi parë që informacione të tilla, të supozuara e fabrikuara, shndërroheshin në shifra se gjoja luftëtarët e paskan dëmtuar buxhetin e shtetit. Nga e tërë kjo, konstatojmë se kjo aktakuzë dhe mënyra e paraqitjes së saj në opinion është vetëm një cirk, të cilit do t’i përgjigjemi me mijëra padi, si për ish prokurorin, ashtu edhe për disa media që lënduan ndjenjat tona dhe luajtën me dinjitetin e integritetin tonë si luftëtarë. Lufta Çlirimtare dhe largimi me pushkë i okupatorit, është e arritura jonë jetësore. Ne kërkojmë urgjentisht, që Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës, të kalojë sa më shpejt në Parlamentin e Kosovës, që këto dukuri të mos shfaqen më në të ardhmen.”

OVL e UÇK-së, përkatësisht degët Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog, këtë aktakuzë e shohin në kuadër të një “tendence të rrezikshme e antihistorike kundër Luftës Çlirimtare, pasi që pasojat mund të jenë të paparashikueshme”.

Por disa veteranë janë vërtetë të interesuar t’i shkojnë çështjes deri në fund. Ata mendojnë që çështja duhet të shkojë deri në fund dhe se, askush më shumë se ata nuk janë më shumë të interesuar që këtë problem ta heqin nga rendi i ditës.

“Mbi 400 veteranë kanë vdekë nga shkaqe të ndryshme mas luftës e shumë tjerë janë pleq. 50 kanë ba vetëvrasje deri tani, e shumë terë janë zhytur në fukarallëk. Kjo ide nuk osht serioze siç nuk ka tregu seriozitet asnjë prej partive politike për këtë temë. Problemi i fryrjes së listave zgjidhet kollaj. Le t’i bajn listat edhe sipas kompanive e mos t’i lajnë veç në nivel brigade dhe atëherë shihet menihere se kush është ‘veteran luftëtar’, kush është ‘veteran pjesëtar’, e kush ‘veteran parashutist’. Rastet e kontestuese masanej le të bajnë kani deklaratë me shkrim, qaq sa dinë me shkru, se ku janë kanë dhe çka kanë ba, me detaje dhe dëshmitarë. Kaq mjafton” – ka komentuar një veteran lufte, emër i njohur për redaksinë.

D.I ka thënë që: “Veteranët pikësëpari kanë nevojë që me u pastru  listat e veteranëve. Me fryrje të këtyre listave po falsifikohet historia, po ofendohen dhe dëmtohen veteranët e papunë. Dhe ky problem, teknikisht zgjidhet lehtë.”

Sipas tij, mjafton vetëm vullneti nga ana e institucioneve dhe sidomos që kjo temë të mos keqpërdoret e të politizohet nga partitë politike.

Baby Boo