Çështja e migrantëve, presidenti turk sot në Bruksel


Presidenti turk Rexhep Tajip Erodgan njoftoi të dielën se do të takohet të hënën me zyrtarë të Bashkimit Evropian në Bruksel për të diskutuar mbi çështjen e migrantëve. Ndërsa azilkërkues nga Siria vazhdojnë të vijnë në Turqi, zoti Erdogan ka bërë të ditur se Ankaraja nuk mund ta zbatojë më marrëveshjen me BE-n, të arritur në vitin 2016, sipas së cilës Turqia angazhohej t’i mbante migrantët në vend.

Sipas marrëveshjes, BE-ja duhet t’i siguronte Turqisë rreth 6.8 miliardë dollarë për të financuar strehimin dhe arsimimin e migrantëve. Por Ankaraja thotë se nuk i ka marrë paratë. “Shpresoj se do të kthehem nga Belgjika me rezultate të tjera”, tha zoti Erdogan të dielën.

Të shtunën, Ankaraja bëri një gjest pozitiv kur zyrtarët njoftuan se nuk do të lejojnë më që migrantët të kalonin kufirin drejt Greqisë përmes detit Egje për shkak të shqetësimeve të lidhura me sigurinë. Por ajo nuk ka vendosur kufizime të ngjashme në kufijtë tokësorë me Bullgarinë dhe Greqinë. Tensionet po shtohen kryesisht për shkak të përplasjeve mes migrantëve dhe rojeve kufitare greke. Në një takim urgjent të ministrave të Brendshëm e të Jashtëm të Bashkimit Evropian këtë javë, u tha se ata (BE-ja) nuk do të lejonte që të shantazhohej nga Ankaraja. “Turqia duhet të respektojë plotësisht marrëveshjen e migrantëve, për vazhdimin e ndihmës”, thanë ata. Presionit në vend të shkaktuar nga rreth 3.7 milionë refugjatë i shtohet rreziqet e një valë tjetër refugjatësh që pritet të hyjë në Turqi pas një armëpushimi të arritur për Idlibin e Sirisë.

Javën e kaluar, autoritetet greke përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të ndalur migrantët që të hyjnë në territorin e saj. Ndërkohë autoritetet turke hodhën gaz lotsjellës në drejtim të territorin grek. Mijëra refugjatë kanë mbërritur si nga toka dhe deti në kufirin lindor të Turqisë. Ata kanë ndërtuar kampe aty prej javës së kaluar me shpresën se do të hyjnë në Greqi me synim përfundimtar vendet e tjera të Evropës Perëndimore.

Baby Boo