Dhjetëra profesor universitar nga Evropa dhe SHBA-ja, me anë të një letre të publikuar në gazetën britanike “The Guardian”, u bëjnë thirrje partive dhe qytetarëve të Maqedonisë të thonë “po” në referendumin që pritet të mbahet. Këta intelektualë besojnë se kjo marrëveshje, pasi të finalizohet “do ta zgjidh problemin e çështjeve të identitetit politik, që është shumë i shpeshtë në shoqëri multietnike dhe do të jetë si një model për zgjidhjen e problemeve të ngjashme në të ardhmen edhe për shtetet e tjera me konflikte të tilla”.
Në një letër të hapur drejtuar opinionit, të publikuar në gazetën britanike Guardian, më shumë se 40 intelektualë nga Evropa dhe SHBA-të kërkojnë zbatimin e marrëveshjes historike mes Maqedonisë dhe Greqisë. Në letrën e nënshkruar nga profesorë universitarë nga Londra, Berkli, Bolonja, Njujorku, Varshava, Kembrixhi, anëtarë të Parlamentit Evropian, filozofë të shuar nga Strazburgu dhe Parisi shprehin përkrahjen për Marrëveshjen, duke potencuar se ai ruan dinjitetin dhe të drejtën e vetëpërcaktimit të dy popujve dhe konfirmon dëshirën e dy vendeve për bashkëjetesë në paqë.
Këto personalitete të shquara, potencojnë se marrëveshja definon kufijtë politik, historik dhe kulturor mes Maqedonisë klasike greke dhe, që nga tani, Maqedonisë Veriore duke e bërë qartë të ditur se identiteti maqedonas mund të ndahet mes njerëzve që e pranojnë, me kuptim të ndryshëm.
Duke rikujtuar shqetësimet kryesore, por edhe dobitë për njërën dhe palën tjetër, në letër theksohet se “Kur do të përfundojë marrëveshja ndërkombëtare juridiko-obligative, do ta zgjidh çështjen e identitetit të kontestuar politik, aq i zakonshëm në shoqëritë multikulturore dhe do të ofrojë model për zgjidhje të ardhshme të konflikteve tjera afatgjate”.
Megjithatë, intelektualët evropian dhe amerikan potencojnë se në të dy vendet ekzistojnë ekstremistë dhe radikalë që janë kundër marrëveshjes. Ata nënvizojnë se veçanërisht në Maqedoninë Veriore është e domosdoshme që të gjithë t’i plotësojnë premtimet me qëllim të ketë sukses referendum, i planifikuar për në vjeshtë.
“Në këto kohëra kritike, kur Evropa ballafaqohet me ngritjen e nacionalizmit ekstremist djathtist dhe racizmin dhe me revizionistët e rrezikshëm në Ballkan dhe Evropë, që i ndajnë njerëzit në “tradhtarë” dhe “patriotë”, më me rëndësi, si kurrë më parë, është që të përkrahen ata që ndërmarrin rreziqe për pajtime. Ne përkrahim këtë marrëveshje korrekte dhe u bëjmë thirrje të gjithë palëve ta plotësojnë pjesën e tyre të marrëveshjes”, thuhet në letrën e hapur të intelektualëve nga SHBA-të dhe Evropë të publikuar në gazetën britanike Guardian.