Ç’është metaversi që po e përgatit “Facebooku”


Rrjeti social ka paralajmëruar se do ta ndryshojë emrin dhe do të krijojë 100.000 vende të reja të punës në Bashkimin Evropian gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, ashtu që të ndihmojë në krijimin e të ashtuquajturit metavers. Por çfarë është ai në fakt?

Sërish keni kaluar një ditë të gjatë. Paradite keni marrë pjesë në disa konferenca. Të paktën gjatë pushimit keni arritur të bisedoni pak me kolegët rreth koncertit në të cilin do të shkoni në mbrëmje. Jeni takuar me miq pas punës, të cilët gjithashtu janë të emocionuar se do ta shohin grupin e preferuar. Qejfi gjatë konferencës e ka turbulluar fakti se e keni parë “ish-të dashurin\dashurën” me shoqëri të re.

Por, çfarë ka në gjithë këtë më ndryshe? Vetëm një gjë e imët: Gjithkund keni qenë dhe të gjitha këto i keni përjetuar, porse fare në fakt nuk u është dashur që të dilni në shtëpi.
Me këtë përshkrim, Deutsche Welle u ka uruar mirëseardhje të gjithë lexuesve në metavers, universin që tanimë është duke u përgatitur përbrenda botës virtuale.

“Njëjtë sikurse bota e përnjëmendtë, metaversin nuk e krijon vetëm një gjë, e nuk është as i lehtë për t’u definuar. Thënë shkurt, mund të përshkruhet si një realitet digjital i lidhur me një rrjet botëror, por edhe me elementet e rrjeteve shoqërore, realitetin ‘e zgjeruar’ dhe video-lojëra”, ka shkruar agjencia gjermane e lajmeve në analizën mbi metaversin, krijimin e të cilit e ka paralajmëruar “Facebooku”.

“Nuk do të shikoni, do të jeni aty”
“Në këtë moment jam goxha i sigurt se metaversi do të krijojë një hapësirë të re ekonomike, e cila do të bëhet madje edhe më e madhe sesa ekonomia e sotme”, ka thënë për DW-në Jensen Hang, kryetar i shoqatës së kompanisë së specializuar për kartela grafike NVIDIA.

Bota e re virtuale do të jetë larg më shumë sesa grafika, për këtë arsye kjo kompani po investon mjete të majme në projektin që një ditë do të jetë shumë më i madh sesa vetëm një kompani në rrafshin e teknologjisë informative, qoftë ajo “Apple”. Deutsche Welle ka analizuar se edhe kompani të tjera janë aktualisht në kufirin e artë të zhvillimit: Microsoft apo Apple Games… Të shumta janë ato që po mendojnë rreth vendit të tyre në këtë univers të së ardhmes. Natyrisht aty është edhe “Facebooku”.

“Në vend që vetëm t’i vëzhgojë përmbajtjet, ju do të jeni përbrenda tyre”, ka thënë shefi i rrjetit social, Mark Zuckerberg, në blogun e tij.
Një gjë e tillë synohej kaherë, porse më së largu është shkuar në lojërat si “Second Life”, “Fortnite”, “Minecraft” apo “Roblox”. Megjithëkëtë, këto janë botë që ekzistojnë secili në vete.

“Vizionarët e metaversit ëndërrojnë për një botë që do t’i përmbajë krejt këto botë, të cilat janë formuar në formën digjitale. Dhe dukja juaj do të jetë çështje e përzgjedhjes suaj ngase gjithkush mund të marrë apo të blejë avatarin që do ta përfaqësojë në këtë botë. Dhe paratë digjitale do të pranohen gjithandej dhe nga të gjithë”, shkruan Deutsche Welle.

Realitet i ri edhe për shkak të koronës
Në këtë realitet të ri rol qenësor do të mund të kishte edhe zgjidhja në të cilën bazohet sistemi i kriptovalutave, shkruan agjencia.
Tregtia me mjete të tilla “autentike” digjitale veçse po bëhet me shifra milionëshe. Me to po shiten edhe fotografi dhe vepra të artit.

Përveç të tjerash, shkruan DW-ja, për këtë lloj universi virtual po mendohet qysh shumë kohë më parë. Shumë filma, sikurse Matrixi, janë shembull tregues i kësaj.
“Pandemia e koronavirusit i ka dhënë shtysë të madhe këtij zhvillimi, ngase bota virtuale në formën e së sotmes ka hyrë me të madhe në përditshmëritë tona. Bëhet fjalë për shtëpitë. Ato përherë e më shumë po blihen me valutat digjitale”, analizon DW-ja.

Dhe agjencia paralajmëron se përmasat e kësaj vetëm sa do të shtohen dhe të zgjerohen në dimension.
Për më tepër, edhe ekspertët në Bloomberg kanë vlerësuar se qysh më 2024, një metavers i këtillë do të ketë vlerën në treg prej rreth 800 miliardë dollarësh amerikanë.

Baby Boo