Çernobili mbetet sërish pa rrymë


Ish-termocentrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë ka mbetur sërish pa energji elektrike, pasi forcat ruse dëmtuan – për herë të dytë – linjën e tensionit të lartë në termocentral, tha kompania kombëtare e energjisë në Ukrainë, Ukrenergo.

Kompania tha përmes një deklarate se linja, e cila furnizon me energji elektrike edhe qytetin Sllavutiç, është dëmtuar përsëri nga forcat ruse, pasi ekuipazhi i Ukrenergo-s e ka riparuar atë.

Termocentrali është shkëputur plotësisht nga rrjeti elektrik javën e kaluar.

Kjo ndërprerje ka vënë në rrezik rreth 20 tonë mbeturina bërthamore, që duhet të ftohen vazhdimisht, për të penguar rrjedhjen e tyre nga uzina, e cila ndodhet rreth 100 kilometra larg kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Javën e kaluar, gjeneratorët emergjentë u aktivizuan menjëherë.

Forcat ruse morën kontrollin e Çernobilit menjëherë pasi shteti rus nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ukrenergo kërkoi qasje në zonë për të bërë riparime.

Ukrenergo tha se Çernobili “është një strukturë e rëndësishme, që nuk mund të lihet pa furnizim të besueshëm me energji”.

Baby Boo