“CENTRALIZIMI I LABORATORËVE ËSHTË SKANDAL”, TARAVARI: FILIPÇE DO TË TËRHIQET BRENDA 6 MUJASH


Projekti i Ministrisë së Shëndetësisë, për centralizimin e laboratorëve për analizat e gjakut është i pakuptimtë për ish-ministrin e shëndetësisë Arben Taravari. Centralizimi, sipas Taravarit, do t’i nxisë pacientët drejt laboratorëve privatë për bërjen e analizave.

Ish-ministri konsideron se vendi ynë nuk është i gatshëm dhe nuk ka laboratorë që do të mund të përballojnë fluksin e madh të analizave.

“Për shembull, unë them rajoni i Pollogut ka vetëm Tetovën. Të gjitha qytetet dhe komunat prej rajonit të Pollogut, gjakun që mblidhet në spitalet shtetërore duhet t’i dërgojnë në Tetovë dhe aty, njëherë do mblidhen shumë rezultate, prej gjitha qendrave, prej gjithë mjekëve amë, do të jetë kaos”, tha Arben Taravari, Ish-ministër i Shëndetësisë.

Sipas Taravarit, ministri aktual i shëndetësisë Venko Filipçe, brenda 6 muajsh do të tërhiqet nga ky plan.

“Të thuash se në Maqedoni do ta centralizojmë kontrollin e laboratorëve në 8 qendra në Republikën e Maqedonisë, është nonsens. Mendoj se është një skandal i llojit të vet që këtë ta thotë një ministër i shëndetësisë. Sidoqoftë unë shpresoj se ata do ta ndërrojnë qëndrimin dhe do të tërhiqen nga kjo. Nuk di vend në botë, le të ma thotë një vend në botë ku ka laboratorë të centralizuara”, tha Taravari.

Taravari shtoi se laboratorët e centralizuara mund të funksionojnë mirë vetëm për analiza të rralla.  Për sistemin e ri të funksionimit të laboratorëve, dje informoi Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe. Sipas tij, kjo metodë do t’i kursejë shtetit miliona euro nga reagentët që teprojnë dhe hidhen si të pashfrytëzueshme.

“Praktikë e vendeve të zhvilluara është centralizimi i laboratorëve. Kjo ka për qëllim kushtet më të mira për pacientët. Me nisjen e këtij sistemi, pacientët nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë për analiza që nuk bëhen në vendbanimet e tyre. Për ta nuk do të ketë haxhime shtesë sepse rezultatin do ta marrin në vendbanimin e tyre”, u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Mbështetje për këtë model është marrë nga Banka Botërore, tha Filipçe, me të cilën Maqedonia bashkëpunon për përmirësimin e mbrojtjet shëndetësore.  Sipas këtij projekti të ri të ministrisë së shëndetësisë, analizat për rezultate do të dërgohen në 8 qendra laboratorike që do të jenë në qytetet më të mëdha të vendit. Më pas, të njëjtat do t’u dërgohen mjekëve amë përmes sistemit elektronik. Pritet që dy qendra të jenë në Shkup dhe nga një qendër në Tetovë, Manastir, Shtip, Ohër, Strumicë dhe Kumanovë.

Baby Boo