Çdo shtator, “lu*ftë” për një vend në çerdhe


Gëzime Bakiu, drejtore e kopshtit “Fidani” në Komunën e Çairit, ka deklaruar se numri i fëmijëve në të gjitha grupet tashmë është mbushur, por ajo pret që situata këto ditë të bëhet më e qartë.
Pandemia me virusin korona ka thelluar edhe më shumë problemin e prindërve i cili përsëritet çdo shtator, për t’i regjistruar fëmijët e tyre në çerdhe. Be*teja për ta zënë një vend në çerdhe dhe kërkimi i lidhjeve brenda institucioneve është duke zgjatur me vite.

Listat e pritjes të fëmijëve nuk janë zvogëluar aspak, ka raste që në disa kopshte mbi 300 fëmijë presin rend të pranohen në çerdhe. Derisa nga ana tjetër, përmes një vendimi më 1 shtator, Qeveria ka ndryshuar protokollet për numrin e pranuar të fëmijëve në çerdhe. Sipas vendimi në çerdhe për grupet e mëdha, numri për t’i pranuar fëmijët u rrit nga 21 në 25 fëmijë. Ndërsa për grupet e vogla nga 0-2 vjet mbeti i pandryshuar. Nga Qeveria, theksuan se pas përfundimit të kësaj periudhe, një vendim i ri do të merret në përputhje me zhvillimin e situatës.

Ndërkohë tani që numri më i madh i prindërve kanë filluar punën me prezencë fizike dhe nuk kanë mundësi të punojnë nga shtëpia, problemi për t’u kujdesur për fëmijët është rritur edhe më shumë. Prindërit shfaqin problemet dhe ankesat e tyre në rrjetet sociale. Sipas prindërve, pasi që situata me virusin korona nuk mund të parashikohet një numër i madh i tyre bëjnë vendet e fëmijëve “peng” duke bërë një pagesë edhe pse fëmijët e tyre qëndrojnë në shtëpi.

“Nuk mund të rre*zikoj që ta liroj vendin për fëmijën, pasi që nuk dihet se si do të shkoj situata epidemiologjike me virusin korona dhe se a do të punoj nga shtëpia apo me prezencë fizike. Duhet të kem disa opsione për t’u kujdesur për fëmijën”, shprehet një nga prindërit.

Gëzime Bakiu, drejtore e kopshtit “Fidani” në Komunën e Çairit, ka deklaruar se numri i fëmijëve në të gjitha grupet tashmë është mbushur, por ajo pret që situata këto ditë të bëhet më e qartë. “Interesimi për regjistrimin e fëmijëve është më i madh se vitin e kaluar. Prioritet u jepet atyre fëmijëve, dy prindërit e të cilëve janë të punësuar, por edhe ata fëmijë janë të shumë.

Numri i fëmijëve në grupe është rritur, por përsëri është më i ulët se viteve të kaluar para virusit korona. Këtë muaj do të shohim se cilët prindër do të vazhdojnë ta mbajnë fëmijën në çerdhe dhe cilët do të heqin dorë”, shprehet ajo. Në fund Bakiu, ka shtuar se pasi të sqarohet situata do të bëhet analiza dhe do ta shohim se a do të kemi hapësirë për regjistrimin e fëmijëve të rinj në kopsht.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), kanë bërë të ditur se në vendin tonë veprimtaria e përkujdesjes edukative për fëmijët realizohet në 77 institucione publike me gjithsej 322 objekt. “Sipas Protokollit për veprimtarin e përkujdesjes edukative të fëmijëve që është miratuar nga Qeveria, në të gjithë institucionet publike mund të pranohen 27.460 fëmijë”, shtuan nga MPPS. Ndryshe, sipas deklaratës së fundit të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në vendin tonë në 10 muajt e fundit janë hapur 15 kopshte të reja që ka rritur me 1150 vende të lira kapacitetin e kopshteve për pranimin e fëmijëve.

Baby Boo