Çdo i treti i testuar, pozitiv me koronavirus! Rritet numri i infektimeve në Kumanovë


Vazhdimisht po shënon rritje numri i infektimeve me virusin korona në Kumanovë. Është rritur edhe numri i atyre që testohen. Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Arif Latifi, pohon se pothuajse çdo i treti i testuar përmes “Тermini im” rezulton pozitiv, ndërsa rastet pozitive janë të pakta në testimet private. Numri i ulët i infektimeve, festa e fundvitit dhe ardhja e mërgimtarëve sipas tij janë shkaktarët që kanë çuar drejt rritjes së rasteve pozitive.

“Ditët e fundit kemi rritje, me tretin e këtij muaji kishim vetëm 12 raste ndërsa prej të katërtit janar filloi të dyfishohet numri dhe kemi pasur nga 25, 28 dhe 30 pozitive prej 100 ose 150 testimeve në ditë. Grumbullimi i njerëzve në hapësira të mbyllura si dhe mos respektimi i mjaftueshëm i ka bërë njerëzit të lirohen mos të frikohen shumë nga virusi pasi kemi pasur numër jashtëzakonisht të vogël”, tha Arif Latifi – Drejtor i Qendrës për Shëndet Publik.

Për ta kaluar këtë situatë të vështirë e cila mund të na çoj drejt një vale të re, Arifi apelon që të respektohen masat për mbrojtje.
“Masat kanë qenë sikurse kanë qenë më parë duhet të respektohen, mirë është të mos grumbullohen t’i largohen grumbullimeve sepse çdo lloj kontakti me njerëz ne nuk e dimë a është pozitiv apo negativ mund të shpijë deri në infektimi i një personi tjetër”, shtoi drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Arif Latifi.

Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë brenda ditës ka kapacitet të testojë 200 deri në 300 persona. Nëse paraqitet nevoja, Arifi thotë se mund të shtojnë numrin e testeve dhe janë të gatshëm të punojnë edhe në dy ndërrime. Aktualisht Kumanova ka mbi 200 raste aktive me COVID-19.

Baby Boo