ÇAVKOVI DHE PESË DEPUTETË TË VMRO-DPMNE-SË DO TË ULEN NË BANKËN E TË AKUZUARVE


Në Gjykatën Penale, sot është pranuar  akuza për  dhunën e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.

Kjo nënkupton se për veprën penale rrezikim terrorist të rendit kushtetutes dhe sigurisë do të akuzohen të gjithë të akuzuarit, përveç deputetes Zhaklina Peshevska u lirua nga akuzat në mungesë provash.

Të 28  të akuzuarit e tjerë akuzohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, ndërsa dy akuzohen për ofrim të ndihmës gjatë kryerjes së kësaj vepre. Prokuroria pohon se ka arritur ta gjejë edhe organizatorin, edhe nxitësin, por nuk e tregoi as funksionin e tij e as rolin që e ka patur konkretisht më 27 prill.

Sipas akuzës, pesë deputetët e akuzuar, Kërsto Mukovski, Lupço Dimovski, Sasho Vasilevski, Johan Tarçullovski dhe Elena Bozhinovska ua kanë hapur derën protestuesve, ndërsa njëri prej tyre besohet se ka folur në telefon me njërin prej organizatorëve të protestës që ka qenë jashtë gjatë momenteve kritike, dhe e ka urdhëruar hyrjen e protestuesve në Kuvend. Por, përveç deputetëve, edhe dy pjesëtarë të sigurimit të Kuvendit dyshohet se e kanë drejtuar turmën deri tek salla e mediave dhe salla e seancave plenare, ndërsa ka ndihmuar edhe një pjesëtar i Shërbimit Sekret.

 

Nga gjykata njoftuan se tashmë pas vendimit, kjo lëndë do të vendoset në sistemin AKMIS dhe do t’i ndahet ndonjë gjykatësit sipas sistemit elektronik. Ndërkohë do të dihet edhe data e saktë se kur do të jetë seanca e parë gjyqësore për lëndën më të madhe mbi dhunën e 27 prillit në Kuvend me 30 persona të akuzuar.

Baby Boo