Carovska: Shkollat janë të gatshme për mësim me prani fizike


Të gjitha shkollat janë të gatshme për fillim të vitit shkollor më 1 shtator. Do të fillojmë me prani fizike dhe në mënyrë permanente do ta ndjekim gjendjen, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska sot në Prilep ku realizoi mbikëqyrje në punët e rikonstruimit të gjimnazit “Mirçe Acev” dhe ndërtimin e sallës sportive në shkollën fillore “Kire Gavriloski-Jane”.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me qëndrimet e dy shoqatave nga të cilat disa kërkojnë mësim onlajn dhe të drejtën e zgjedhjes së çdo prindi, ndërsa të tjerët mësim me prani fizike, Carovska tha se i respekton të gjitha mendimet, por do të zbatohet vendimi qeveritar për fillim të mësimit me prani fizike.

“Të gjithë e ndjekin gjendjen epidemiologjike në nivel lokal dhe të gjithë jemi këtu, së bashku të shikojmë cili është opsioni të fillojmë njëkohësisht nën kushte të barabarta. Gjithsesi, secili ka të drejtë ta tregojë mendimin e tij, unë e respektoj atë. Ne udhëhiqemi nga përvojat tona dhe ato ndërkombëtare prej vitit të kaluar dhe nga rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse. Ajo që është konfirmuar në mbledhjen qeveritare që në qershor është se Ministria duhet të përgatitet për tre skenarë: njëra është prania e plotë fizike, tjetra është modeli hibrid dhe e fundit të gjithë me mësim onlajn. Prej më parë, para tre mbledhjeve qeveritare, të gjithë së bashku, sipas rekomandimeve të Shtabit koordinativ kryesor, sollëm vendim që viti shkollor të fillojë më 1 shtator dhe me prani fizike për të gjithë nxënësit në të gjitha shkollat. Atë e përgatisim dhe për atë janë përgatitjet”, sqaroi Carovska.

Nëse Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në një moment vlerëson se duhet të zbatohet skenar tjetër, siç potencoi Carovska, atëherë do të sillet vendim i ri në interes të nxënësve.

Baby Boo