Caktohet ora e takimit Trump-Kim Jong un


Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se takimi në mes të presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un do të realizohet më 12 qershor në orën 09:00 sipas orës lokale në Singapor, raporton Anadolu Agency (AA).

Sanders në brifingun e saj ditor në Shtëpinë e Bardhë dha deklarata në lidhje me samitin Trump-Kim.

Ajo tha se përgatitjet për samitin vazhdojnë shumë mirë. “Presidenti çdo ditë informohet në brifingun ditor në lidhje me Korenë e Veriut nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare. Në kuadër të kësaj mund të them se takimi i parë (Trump-Kim) do të fillojë më 12 qershor në orën 09:00, sipas orës lokale në Singapor”, tha Sanders.

Zëdhënësja u përgjigj edhe në lidhje me pyetjen për letrën e Kim të pranuar nga Trump. Ajo tha se nuk do të hyjë në përmbajtjen e letrës por sipas saj shprehjet në letër “kanë treguar se janë në rrugë të drejtë”.

Ndërsa lidhur me pyetjen se “SHBA-të do të vazhdojë apo jo fushatën e presionit në maksimum ndaj Koresë së Veriut”, Sanders tha se sanksionet ndaj këtij shteti do të mbesin aktive derisa Gadishulli Korean të pastrohet nga armët bërthamore.

Presidenti amerikan, Trump, në një deklaratë më 1 qershor tha se më 12 qershor në Singapor do të takojë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Trump këtë deklaratë e ka dhënë pas takimit me zyrtarin e lartë verikorean, Kim Yong Chao në Shtëpinë e Bardhë.

Ai nuk ka pretenduar asnjëherë se vetëm me një samit në Singapor do të përmirësohet gjithçka. “Ky është një proces, do të marrë kohë. Kurrë nuk kam thënë një takim të vetëm. Këtë e shohim si një proces”, ka potencuar Trump.

Baby Boo