Bytyqi: “Komisionet me Bullgarinë janë të rëndësishme, sa më parë të fillojë infrastruktura hekurudhore”

Komisionet për ekonomi dhe infrastrukturë që i propozon kryeministri bullgar Kirill Petkov janë të rëndësishme për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, vlerëson zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi në një intervistë në prag të fundvitit për MIA-n.

“Jam i prirur të them që bashkëpunimi duhet të vijë natyrshëm, por kur kjo nuk është e mundur, atëherë duhet të krijohen organe të caktuara që duhet të japin agjendë të qartë. Ne përpiqemi sinqerisht të tregojmë se jemi të hapur për bashkëpunim, jo ​​vetëm me Republikën e Bullgarisë, por edhe me çdo vend fqinj, sepse besojmë fort në parimin e konkurrencës rajonale. Sa më shumë të bashkëpunojmë, aq më shumë përfitojnë qytetarët tanë”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Shembulli më i mirë për këtë, sipas tij, është Marrëveshja e Prespës, e cila, jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por edhe ekonomike me Greqinë fqinje, po japin rezultatet e para, si ndërtimi i interkonektorit, terminali i Aleksandoupolis dhe termocentrali i gazit.

Në video-intervistën, e cila do të publikohet e plotë nesër, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se është e rëndësishme edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Bullgarinë që infrastruktura hekurudhore të fillojë të funksionojë sa më shpejt.

“Pavarësisht se në këtë periudhë kemi marrë dy herë veto nga Republika e Bullgarisë, kemi vazhduar me përpjekjet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore ndaj fqinjit tonë. Tenderi sapo ka përfunduar dhe pritshmëria ime është që tashmë në mars të vendosim në funksion kompanitë për vazhdimin e korridorit hekurudhor drejt Bullgarisë dhe diku në qershor do të shpallet tenderi për fazën e tretë, e cila përfundimisht do të rrumbullaksoj Korridorin 8 drejtë Republikës së Bullgarisë. Sipas parashikimeve, ajo duhet të përfundojë deri në vitin 2025, në komparacion me planet bullgare, të cilat thonë se hekurudha duhet të përfundojë deri në vitin 2027. Komisioni duhet ta harmonizojë këtë, sepse as për Republikën e Bullgarisë dhe as për ne nuk është mirë që hekurudha të ringjallet në vitin 2027. Duhet të ulemi dhe të bëjmë përpjekje që ta kemi një orë më parë. Prandaj konsideroj se komisionet do të jenë të rëndësishme për të përcaktuar agjendë të qartë, për të eliminuar pengesat e mundshme ligjore, nëse ka, për bashkëpunimin e kompanive dhe bizneseve. Nga ana tjetër, pse të mos krijohen mundësi ligjore që do të rrisin bashkëpunimin e kompanive dhe investimet e ndërsjella – investimet bullgare në Maqedoninë e Veriut dhe investimet maqedonase në Bullgari”, tha Bytyqi.

Në intervistë, zëvendëskryeministri zbuloi gjithashtu nëse do të ketë kufizime për energjinë elektrike pas Vitit të Ri, nëse pret goditje të re çmimesh pas 31 janarit kur përfundon vendimi për ngrirjen e çmimeve të ushqimeve, si dhe pritshmëritë e tij nga nisma “Ballkan i Hapur”. Zëvendëskryeministri i është përgjigjur edhe pyetjes nëse do të qëndrojë në detyrë në Qeverinë e re.