Bytyqi: “Këtë sezon nuk duhet të ketë kufizime të energjisë elektrike”


Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi është i bindur se deri në fund të vitit, por edhe gjatë gjithë sezonit të ngrohjes, nuk duhet të ketë kufizime të energjisë elektrike përveç siç thotë ai, “nëse nuk ndodhë ndonjë gjë e paparashikuar”. Masat e paralajmëruara për kursimin e rrymës, thekson ai, janë për të ulur presionin mbi sistemin energjetik, por edhe për të shpenzuar më pak mjete për këtë energjensë.

“Kemi kalkulimet, e dimë bilancin energjetik, sa nevojitet të prodhohet energji elektrike që të përdoret për tregun, pavarësisht nga tregu i lirë i parregulluar. Në atë të rregulluar janë amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Me rritjen e prodhimit krahasuar me një vit më parë jemi të bindur se deri në fund të vitit, nëse nuk ka ndonjë ngatërresë, nuk do të ketë kufizime. Do të ketë mjaftueshëm energji elektrike për këtë vit, por unë paralajmëroj se kjo do të jetë për të gjithë sezonin e ngrohjes duke përfshirë edhe muajt e parë të vitit të ardhshëm deri në pranverë”, tha Bytyqi.

Sipas tij, kursimi duhet të ndihmojë që të mos ndodhë për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të të gjithëve përfshirë edhe institucionet publike të krijohet ndonjë problem.

“Ne duhet të tregojmë se dimë me përgjegjësi të sillemi me resurset publike sepse në fund të fundit shpenzimi më pak i energjisë elektrike jo vetëm që do të ketë ndikim në uljen e presionit në sistemin energjetik, por nënkupton që më pak mjete të jepen për atë burim”, tha zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike. Ai është i bindur se nuk do të ketë problem as në furnizimin e energjisë termike në Qytetin e Shkupit.

“Sipas ligjit, operatori BEG është i detyruar deri në zgjedhjen e operatorit të ri të ofrojë shërbimet ndaj qytetarëve, pa dallim se i është hequr licenca. Procedura për zgjedhjen e operatorit të ri është në rrjedhë e sipër dhe me siguri do të aplikojnë të gjithë të interesuarit nëse në Resurset energjetike të Qytetit të Shkupit ose në ndonjë kompani tjetër private apo shtetërore. Sezoni i ngrohjes do të sigurohet për qytetarët tanë”, theksoi Bytyqi.

Në këtë bisedë, i pyetur për çështjen aktuale lidhur me balancuesin për punësim në sektorin publik në aspektin etnik, ai theksoi se qëndrimi i tij personal është që dalëngadalë të mendohet se ndoshta ka ardhur koha ai të braktiset dhe për t’u futur në sektorin publik të vendoset sipas sistemit meritor.

“Ndoshta ka ardhur koha të sillemi si evropianë dhe në vend që të shikojmë përmes një balancuesi të shikojmë sipas sistemit meritor për hyrje në sektorin publik, sepse në fund të fundit të gjithë drejtojmë gishtin nëse ata që janë në sektorin publik ofrojnë shërbime të mjaftueshme për qytetarët tanë”, tha Bytyqi.

Baby Boo