BURRAT QË THURIN ME LËMSH LUFTOJNË PARAGJYKIMET


Është një trend i ri në industrinë e veshjeve. Burrat që thurin me lëmsh janë shtuar dhe dita-ditës po ndjehen më rehat para të tjerëve teksa bëjnë punën, tashmë të zakonshme për ata.
Në studion “String Thing” në Brooklyn të New Yorkut, të enjtet mbrëma janë net burrash. Ata me të kaluar të ndryshme në industrinë e veshjeve, janë bërë bashkë për të thurur, biseduar dhe për të mësuar më shumë nga njëri-tjetri.

Shumë prej tyre thurjen me lëmsh e konsiderojnë hobi që të qetësohen nga punët e përditshme dhe të jenë më kreativë. Derisa po thurte një batanije të madhe, Robert Renfroe nga Brooklyni, ka thënë se ky zanat e bën më kreativ.

“Të bën më shumë kreativ. Të bën të shohësh të arriturën tënde prej fillimit e deri në fund”, ka thënë Renfroe.
Anëtari i tjetër i grupit të burrave, Andre Tirenin, ka thënë se thurja mund të jetë zanat për një person të vetmuar, por i pëlqen atmosfera që po krijon grupi të enjteve mbrëma.

“Pa menduar dy herë doja t’i bashkohesha grupit sepse në grupin tjetër isha burri i vetëm dhe ndihesha i lënë anash sepse kishin biseda krejt tjera. Me këtë grup flasim për gjëra të ndryshme. Prandaj është kënaqësi”, ka thënë Tirenin.

“Kjo punë na bën bashkë. Pimë verë e birra dhe flasim”, ka thënë Louis Boria që ndihmoi në formimin e grupit në muajin janar, duke theksuar se burrat janë ende një grup i vogël në komunitetin e thurjeve me lëmsh. Ama, Boria inkurajon burrat dhe gratë që të luftojnë stereotipet.
“E dini se ka një stigm të kapur për thurjen. Kur mendojmë për thurjet me lëmsh gjëja e parë që na bie ndërmend është gjyshja, apo jo? Prandaj kemi ardhur në këtë industri dhe ‘ja ku jemi”, ka thënë Luis Boria.

“Dita-ditës do të filloni të shihni më shumë burra në këtë zanat dhe kjo më pëlqen. Por është një traditë e lashtë. Prandaj bashkë me këtë vijnë trendet që duhet thyer. Këtë po tentoj ta bëjë edhe unë”, ka thënë veç të tjerash Boria që tash e dhjetë vjet kryen këtë zanat.

U bë goxha i famshëm në vitin 2017 kur në Internet u publikua një foto e tij derisa po thurte me lëmsh në një metro të New Yorkut.

Baby Boo