Burgjet në Maqedoni me kushte të mjerueshme


Burgjet në Maqedoni, për dallim nga vitet e mëhershme, gjatë këtij viti kanë pasur numër më të vogël të të burgosurve. Sipas të dhënave dhe analizave të zyrës së Avokatit të Popullit, miratimi i Ligjit për amnisti i cili u miratua në janarin e 2018-ës i ka dhënë rezultat e veta. Ombudsmani i Maqedonisë, përmes Mekanizmit Parandalues Nacional dhe vizitave që i kanë realizuar në më shumë institucione ndëshkuese përmirësuese në vend, ka konstatuar se amnistia e fillimvitit kishte ndikuar në reduktimin e mbipopullimit në burgjet e vendit, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, qëndrim i Avokatit të Popullit është se kjo amnisti ishte një masë me efekt të njëfishtë dhe e njëjta nuk do ta zgjidhte përgjithmonë problemin e mbipopullimit të burgjeve.

“Kur bëhet fjalë për popullatën e burgjeve, duhet të merret parasysh se ajo është popullatë e lëvizshme – disa shkojnë, por vijnë persona të tjerë të cilët do të vuajnë dënime me burg, kështu që nuk duhet të mbështetemi vetëm në këtë masë. Kjo do të thotë se duhet të përshpejtohet procesi dhe zgjerimi i kapaciteteve të burgjeve, në mënyrë që të mos gjendemi përsëri në situatë që të burgosurin ta vuajnë dënimin me burg në kushte skajshëm johumane. Në të vërtetë, Avokati i Popullit vite me radhë, konstatonte gjendje të mbipopullimit dhe kushte të paimagjinueshme në burgje”, thonë nga Ombudsmani, për gazetën KOHA.

Në burgjet e Maqedonisë, higjiena dhe tualetet në masë të madhe janë jofunksionale. Fotografitë e publikuara shpesh në rrjetet sociale tregojnë se si krevatet dhe muret janë të shkatërruara. Njëkohësisht, kjo gjendje e burgjeve gati për çdo vit gjendet në raportin e Avokatit të Popullit. Kësisoj, përpos lëshimit të dy reparteve të reja në Idrizovë – reparti i hapur dhe reparti i mbyllur, gjatë 2018 Ombudsmani i Maqedonisë nuk ka hasur në ndonjë përmirësim më kualitativ në burgje.

“Vërejtjet e shënuara edhe më tutje janë problem serioz, veçanërisht në burgjet në të cilat vite me radhë nuk janë rinovuar fare, ndërsa mirëmbajtja e higjienës u është lënë vet personave të dënuar. Kur kësaj i shtohen edhe hapësirat e vjetra dhe të amortizuara për vendosje dhe mirëmbajtja e higjienës, atëherë konfirmohet edhe perceptimi për kapacitetet e këqija të vendosjes në burgje. Kushte modeste për vuajtjen e dënimit me burg sigurojnë vetëm pavijonet, repartet e reja të hapura dhe burgu i Kumanovës”, thonë nga Avokati i Popullit.

Me qëllim që shteti ti përmbushë standardet që i përcaktojnë Konventat ndërkombëtare për të drejtat e të burgosure, zyra e Ombudsmanit thekson se institucionet shtetërore duhet që në periudhën e ardhshme, me intensitet më të lartë të angazhohen dhe punojnë në përmirësimin e kapacitete në burgjet e vendit. Problem shtesë, i cili ekziston në burgje është edhe fenomeni i veprimeve korruptive.

Avokati i Popullit kur flet për këtë çështje, thekson se korrupsioni është më i theksuar në burgjet ku dënimin me burg e vuajnë një numër më i madh i personave të dënuar.

“Kjo dukuri është e përhapur gjerësisht dhe funksionon si sistem i organizuar mirë në të cilin përfshihen të gjithë faktorët, përfshirë edhe një pjesë të madhe të nëpunësve të burgut, të burgosurit dhe persona nga jashtë. Ndërkaq, në institucionet e llojit të hapur dhe gjysmë të hapur, ku numri i personave të dënuar është më i vogël, më së shpeshti mund të ketë korrupsion të vogël, si për shembull, telefona celularë dhe lloje të ndryshme të favoreve”, thonë nga Avokati i Popullit.

Se kushtet në burgjet e Maqedonisë vazhdojnë të jenë alarmante, këtë më së miri e tregojnë të burgosurve në Idrizovë, por edhe në Shutkë. Sidomos tani kur temperaturat janë të ulëta, ndërsa mungon ngrohja e duhur.

“Mezi arrijmë të ngrohemi. Secili i burgosur nga shtëpitë e tyre, familjarët u kanë sjellë nga dy batanije dhe jorganë. Nuk janë burgje të dënimit, por burgje të trishtimit. Ushqimi është i tmerrshëm, këtu hanë vetëm ata që nuk kanë asnjë të ardhur në familje, ndryshe sillen ushqimet për një javë nga shtëpitë. Ndihma mjekësore mungon, ndodhë që në ditë të ketë një mjek, e ndonjëherë pritet me ditë për kontroll”, ankohen për gazetën KOHA të burgosurit.

Ndryshe, me hyrjen në fuqi të Ligjit për amnisti të të burgosurve, vitin e kaluar me automatizëm nga burgje e Maqedonisë u liruan mbi 700 të burgosur, të cilin ishin të dënuar me heqje liri deri në 6 muaj. Përderisa dënimi prej 30 për qind ju zvogëlua rreth 3 mijë të burgosurve tjerë. Në bazë të të dhënave zyrtare – burgjet në Maqedoni kanë kapacitet për pranimin e 2026 të burgosurve.

Baby Boo