Bubevski padit zyrtarisht avokatin e Alimi, dëshmitare gjen avokaten Iseini


Prokurori Gavrill Bubevski nga PSP ka parashtruar padi penale kundër avokatit Mefail Arsllani, i cili përfaqëson të akuzuarin Ejup Alimi nga BDI në lëndën “Titanik 3” për veprën penale “Rrezikim të sigurisë së personave zyrtar”, transmeton gazeta Koha.

Në padinë penale, Bubevski thotë se nëse dëshmohet vepra penale e avokatit dhe posaçërisht nëse dëshmohet se pas saj qëndron klienti i tij, Alimi, koordinator i grupit parlamentar të BDI, do t’i shtohet edhe ndjekjes penale të të akuzuarit Alimi. Në përshkrimin e padisë penale, Bubevski ka theksuar se ngjarja ka ndodhur më 10 nëntor 2018 në parkingun tek QT “Mavrovasja” në momentin derisa dëshmitarja Artene Iseini ka drejtuar makinën e saj në të cilën bashkudhëtare ka qenë dëshmitarja Fatime Fetai, e cila së bashku me Bubevskin, përfaqëson akuzën kundër Ejup Alimit për parregullsi zgjedhore. Ata kanë kërkuar vend për t’u parkuar, dhe kur kanë parë Arsllanin, Iseini ka hapur dritaren dhe i ka thënë: “Mirëdita Mefo, çka bën, si je?”.

Ky në mënyrë agresive dhe me zë të lartë, siç thuhet në padi, u ka thënë: “A be ja nuk po dimë çka t’i bëjmë kësaj, sepse është e jona”, duke treguar në drejtim të Fatimes, dhe pastaj ka vazhduar: “Ndërsa atij kaurit nënën do t’ja shkatërrojmë, familjen do t’ia q….”.

Kërcënimet, sipas dëshmitarëve Fetai dhe Iseini, kanë qenë të drejtuara ndaj të dëmtuarit Gavrill Bubevski si i prokuror, i cili vepron së bashku me Fetain në “Titanik 3”. Bubevski në padi ka bashkëngjitur edhe procesverbalin nga debati kryesor të gjykimit më 30 tetor 2018, deklaratat e dëshmitarëve Fetai dhe Iseini, por edhe dëshmitë e dëshmitarëve në “Titanik 3”, të dhëna në hetimin para prokurores speciale Katica Janeva me çka i kanë thënë se frikësohen për jetën e tyre për çka, sqaron Bubevski, është kërkuar arrest për Ejup Alimin në bazë të asaj.

Në padi të prokurorit Bubevski thuhet se “kjo është edhe një dëshmi për personalitetin e Ejup Alimit dhe seriozitetin e qëllimeve të mbrojtësit të tij, duke patur parasysh se kërcënimet janë thënë në shumës dhe tregon përfshirjen edhe të të akuzuarit Ejup Alimi”. Bubevski thekson se pret që të të fitojë drejtësia edhe përkundër asaj që “Ejup Alimi sillet si i paprekshëm për drejtësinë”.

Ai përmend edhe dëshmitarin R. B, të cilin gjykata insiston të sillet që të dëshmojë në “Titanik 3”, ndërsa për të cilën thotë se në deklaratën e vet ka theksuar se frikësohet të dëshmojë para të akuzuarve Alimi dhe Ismet Guri sepse frikësohet për sigurinë e vet dhe babait. Bubevski prokurorisë themelore i thotë se të njëjtën gjë e pohon edhe dëshmitari Q.T. (koha.mk)

Baby Boo