Britania e Madhe është e gatshme ta ndihmojë Qeverinë e RMV-së, nëse vendos të zbatojë “veting” në gjyqësor


Nëse Qeveria vendos që ta miratojë këtë qasje, duke i marrë parasysh pikëpamjet e palëve kyçe, dhe nëse kërkohet prej nesh, mundemi t’i sigurojmë ekspertizat dhe informatat e nevojshme. Kjo është përgjigja e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shkup, në lidhje me procesin e “vetingut”, apo verifikimit të gjykatësve dhe prokurorëve në Maqedoninë e Veriut.

“Si miq dhe mbështetës të gjatë të aspiratave Euro-Atlantike të Maqedonisë së Veriut, mbështesim profesionalitet dhe drejtësi të paanshme. Kjo është e rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe është kusht kyç për BE-në”, thonë për Portalb.mk, nga Ambasada e Britanisë.
Ato shtojnë se, Britania e Madhe ndjeshëm ka kontribuuar në programet për sundimin e ligjit për sistem të fuqishëm dhe efikas të drejtësisë.

“Reformat në gjykatat administrative do të kontribuojnë deri në mbrojtjen më të madhe të personave dhe bizneseve. Zbatimi i “Judical Indicator Matrix” për Prokurorinë Publike do të ndihmojë në vëzhgimin e zbatimit të Strategjisë për Reforma në Gjyqësor dhe do të përdoret si qendër kryesore diagnostikuese për këtë sektor. Britania e Madhe gjithashtu i përkrahë edhe organizatat civile që detajisht ta ndjekin dhe të kyçen në aktivitetet e Këshillit Gjyqësor dhe Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit për transparencë, përgjegjësi dhe performanca më të mira”, thonë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Siç njoftojnë prej atje, në fund të këtij viti, Britania e Madhe gjithashtu do të lansojë iniciativë të re rajonale për sundimin e së drejtës, duke investuar edhe 20 milionë funta nga Banka Botërore.

“Vetingu”, është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.

Baby Boo