Botërori 2018, fituesit marrin plot 33 mln euro nga FIFA


Kampionati Botëror i futbollit është kompeticioni që u siguron të ardhura të mëdha Federatave të skuadrave pjesëmarrëse, e ai i Rusisë nuk bën përjashtim.

Tashmë është përcaktuar edhe shpërndarja e shpërblimeve për skuadrat pjesëmarrëse. Mësohet se skuadra triumfuese e Botërorit do të përfitojë 33 milionë euro, ndërsa ajo finaliste do të marrë 25 milionë euro, transmeton TCH.

Skuadra e vendit të tretë do të sigurojë 21 milionë euro, kurse ajo e vendit të katërt 19 milionë euro.

Ekipet që do të eliminohen në çerekfinale do të përfitojnë 15 milionë euro, kundrejt 11 milionëve të atyre të eliminuara në 1/8-at e finaleve.

Shpërblim do të jepet edhe për klubet që lejuan futbollistët të marrin pjesë në kompeticion, e shifra totale do të jetë prej 177 milionë eurosh. Gjithashtu, klubet do të marrin në formën e dëmshpërblimit edhe 113 milionë euro të tjera, në rast se futbollistët e tyre do të pësojnë dëmtime gjatë Kupës së Botës.

Në të njëjtën kohë, edhe vet federatat kanë përcaktuar shpërblimet për futbollistët e përfaqësueseve të tyre respektive.

Kështu, te Spanja, që është një prej pretendentëve, lojtarët do të përfitojnë 825 mijë euro secili. Shumë pranë saj është Brazili, me një shpërblim të akorduar prej 800 mijë eurosh për çdo lojtar. Shumë më e ulët është shifra e akorduar për Gjermaninë. Futbollistët e kësaj skuadre do të përfitojnë 350 mijë euro secili, nëse ia dalin mbanë që të mbrojnë titullin e fituar në vitin 2014.

Baby Boo