Botërorët në shifra dhe në fakte


Kupa e Botës konsiderohet kompeticioni më i madh dhe më i rëndësishëm në sportin e futbollit. Që prej vitit 1930 kjo garë ka njohur 20 fitues, kurse i 21-i do të zbulohet të dielën. Njëra prej Francës ose Kroacisë do të hyjë në librat e historisë si fituesja e 21-të e kësaj gare. Franca do të jetë në kërkim të trofeut të dytë të saj, pas atij të fituar në 1998-n, ndërsa Kroacia në kërkim të triumfit në parë. Me një triumf të mundshëm francezët do t’u bashkoheshin argjentinasve dhe uruguaianëve, që tashmë kanë nga dy tituj, ndërkohë kroatët do t’u bashkoheshin shteteve si Spanja, Anglia dhe Franca, shkruan Gazeta “Zëri”.

Në historinë e Kupës së Botës deri më tani ekipi më i suksesshëm është treguar Brazili, që numëron pesë tituj të fituar. Kurse Gjermania, që triumfoi në edicionin e kaluar dhe Italia kanë nga katër tituj të fituar. Italia dhe Brazili janë ekipet e vetme që kanë triumfuar nga dy herë radhazi në këtë garë.

Evropa është kontinenti më i suksesshëm në këtë kompeticion me gjithsej 11 tituj të fituar, kurse Amerika Jugore numëroj 9 trofe. Asnjë kontinent tjetër nuk ka pasur fitues në këtë garë, madje as pjesëmarrës në finale. 79 kombe kanë marrë pjesë deri më tani në 21 edicionet e Kupës së Botës, 13 kanë shkuar në finale, ndërsa kanë fituar vetëm 8 ekipe, gjë e cila mund të ndryshojë në rastin e triumfit të Kroacisë.

Një total prej 422 lojtarëve kanë fituar deri më tani Kupën e Botës. Braziliani Pele është i vetmi që ka fituar plot tri herë në këtë garë, ndërsa 20 prej tyre e kanë fituar nga dy herë. Luis Monti është i vetmi futbollist që ka luajtur dy finale të Kupës së Botës me shtete të ndryshme. Ai së pari u paraqit për Argjentinën në 1930-n, që u mposht dhe në 1934-n me Italinë, që fitoi. Attilio Demaria ishte gjithashtu në ekipin e Argjentinës në 1930-n dhe në atë të Italisë në 1934-n, por nuk u paraqit në asnjërën finale. Braziliani Maria Zagallo dhe gjermani Francz Beckenbauer janë të vetmit që e kanë fituar trofeun si lojtar dhe si trajner. Këtyre mund t’u bashkohet edhe Didier Deschamps nëse fiton ndaj Kroacisë të dielës. Deschamps kishte fituar si futbollist me Francën në vitin 1998.

Baby Boo