Bosnja dhe Hercegovina kremton Ditën e Pavarësisë me paradë në Sarajevë


Shënimi i Ditës së Pavarësisë së Bosnjë dhe Hercegovinës në Sarajevë vazhdoi me një program ceremonial, duke përfshirë një paradë.
Dita e Pavarësisë së BeH-së është një nga datat më të rëndësishme në historinë e Bosnjë e Hercegovinës, e cila sot shënon 30-vjetorin e referendumit në të cilin qytetarët e BeH-së votuan për pavarësinë e saj.

Me këtë rast, komuna Stari Grad e Sarajevës dhe kryetari Ibrahim Haxhibajriq përgatitën një program të veçantë ceremonial në dy pjesë.
Pjesa e parë e programit përfshin paradën e cila përbëhet nga kryetari Ibrahim Haxhibajriç, dhe punonjës të tjerë të komunës Stari Grad, këshilltarët dhe kryetari i Këshillit komunal të Stari Grad, anëtarët e shoqatës “Beretat e gjelbra Stari Grad”, “Brigada e Parë e policisë Stari Grad”, “Gjeneralët e BeH-së” dhe qytetarët.

Parada filloi para Monumentit të Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës, prej nga u drejtuan për tek Katedralja ku është paraparë një program i shkurtër artistik dhe më pas vazhdon për tek Sebili, ku parashikohet përfundimi i tij.
Pjesa e dytë e programit do të mbahet në Sallën e Madhe të Komunës Stari Grad me një ceremoni të veçantë me përmbajtje të pasur kulturore dhe argëtuese dhe fjalime për rëndësinë e 1 Marsit për BeH-në.

Një Marsi, Dita e Pavarësisë së Bosnjë e Hercegovinës, festohet me rastin e referendumit të zhvilluar me sukses për pavarësinë e Bosnjë e Hercegovinës, të mbajtur më 29 shkurt dhe 1 mars 1992. Në atë kohë votuan 2.073.568 votues (me pjesëmarrje prej 63,7% të qytetarëve me të drejtë vote në BeH). Rreth 99,7% e atyre që dolën në qendrat e votimit votuan për pavarësinë.

Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për një Bosnjë e Hercegovinë sovrane dhe të pavarur, një shtet të qytetarëve të barabartë, popullit të Bosnjë e Hercegovinës – muslimanë, serbë, kroatë dhe anëtarë të popujve të tjerë që jetojnë në të?”
Pas votimit për pavarësinë, Bosnjë e Hercegovina u njoh nga shumë vende të botës dhe vendi shpejt u bë anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare./Anadolu Agency/

Baby Boo