Borxhet e papaguara ndaj NQP-së, përplasje mes institucioneve


Ndërmarrja e transportit publik Shkup apelon dhe kërkon nga Qeveria, komunat dhe të gjithë debitorët ndaj kompanisë që sa më shpejt t’i paguajnë obligimet për të mundësuar funksionimin normal të ndërmarrjes.

“Aktualisht Qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit, ka borxh ndaj NQP-së prej 120 milionë denarë ose rreth 2 milionë euro për transportin falas të nxënësve dhe studentëve. Përveç kësaj, disa komuna të Shkupit kompanisë i kanë borxh rreth 40 milionë denarë. Borxhet ndaj NQP-së, të cilat llogariten në miliona euro, e bëjnë të pamundur rrjedhën normale të punës së kompanisë dhe krijojnë probleme në punën aktuale, pra përmbushjen e detyrimeve që kompania ka ndaj kreditorëve të saj dhe detyrimin për t’i paguar pagat”, deklaroi zëdhënësi i Qytetit të Shkupit Zoran Gligorov.

Qeveria duhet të paguajë borxhin e MASH-it prej dy milionë eurosh ndaj NQP-së deri në mesditë nesër, në të kundërtën Qyteti i Shkupit me menaxhmentin e ndërmarrjes do të dalë në protestë nesër në orën 12.00.

“Se borxhi i tyre duhet të jetë fillimisht nga aspekti i humanizmit dhe ai i detyrimit, si çdo qytetar në këtë vend kur i ka borxh, ju vetë e dini që i ngarkojnë menjëherë përmbaruesit, merrni nga llogaria e tij, as nuk pyesin a ka apo jo dhe i bllokon. Mirëpo, kjo fatkeqësisht nuk vlen për këto institucione dhe prandaj do të fillojmë me të gjitha ato procedura që janë në kompetencën tonë, do të parkojmë autobusët e NQP-së para Qeverisë dhe para institucioneve të tjera që do të sabotojnë proceset”, deklaroi Danela Arsovska – Kryetare e Komunës së Shkupit.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mohon akuzat për çfarëdo borxhi ndaj NQP – Shkup, siç akuzon menaxhmenti i kësaj ndërmarrje publike.

“Kjo gjendje në të cilën ndodhet NQP është tregues se komunat në mënyrë të papërgjegjshme i menaxhojnë mjetet e destinuara për transportin e nxënësve dhe nuk i shlyejnë obligimet në kohën e duhur. Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, kjo ministri i kryen rregullisht detyrimet e saj ndaj të gjitha subjekteve me të cilat ka rregulluar kompetencat ligjore, ose me të cilat ka lidhur marrëveshje për arsye të ndryshme që inicojnë detyrime financiare, gjë që nuk ndodh me NQP – Shkup”, thonë nga Qeveria.

Nga Qeveria gjithashtu u bëjnë thirrje pushteteve lokale që shfrytëzojnë shërbimet e NQP – Shkup që të menaxhojnë më mirë buxhetet e tyre dhe rregullisht t’i shlyejnë borxhet ndaj ndërmarrjes publike, në mënyrë që funksionimi normal i saj në kushte të krizës ekonomike dhe energjetike të mos vihet në pikëpyetje./KlanMacedonia/

Baby Boo