Borell: “Brukseli po bën të pamundurën për ta integruar Shkupin” (VIDEO)


Situata në Ukrainë po rrezikon sigurinë e gjithë Evropës, përfshi edhe rajonin. Pasojat ekonomike dhe politike tashmë po ndjehen qartë, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrel pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski sot në Shkup. Ai paralajmëroi pakon e katërt të sanksioneve të BE-së ndaj Federatës Ruse, që ka për qëllim të pamundësojë luftën e Putinit në Ukrainë, sipas Borrel.

JOSEP BORREL, PËRFAQËSUES I LARTË I BE-SË PËR POLITIKË TË JASHTME
“Lufta e Putinit nuk është vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë për mosrespektim të së drejtës ndërkombëtare, bëhet fjalë për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit evropian dhe na prek të gjithëve, në planin ekonomik dhe politik. Ju prek juve, e prek Bashkimin Evropian dhe baraspeshën në botë”.

I pyetur nëse mund të premtojë se Maqedonia e Veriut do të marrë datë për Konferencën Ndërqeveritare në qershor, Borrel tha se nuk mund të bëjë premtime por mund të sigurojë se Brukseli po bën gjithçka për të hapur negociatat me Shkupin.

JOSEP BORREL, PËRFAQËSUES I LARTË I BE-SË PËR POLITIKË TË JASHTME
“Nuk mund të premtoj, por mund të ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që të hapim bisedimet sa më shpejtë. Shpresoj që deri në qershor të mbyllen çështjet bilaterale, të cilat nuk guxojnë të pengojnë më këtë proces”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski nga ana tjetër kërkoi perspektivë të qartë për Maqedoninë e Veriut në BE, për shkak se sipas tij, situata e sigurisë në rajon është delikate sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I RMV
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë dhe bllokimi i negociatave lë pasoja në gjithë rajonin. Maqedonisë së Veriut i duhet perspektivë e pastër dhe e qartë evropiane… Lënia e hapësirës gjeostrategjike në këtë pjesë të Evropës nuk duhet të jetë opsion”.

Gjatë vizitës së tij të parë në Shkup, Borrel takoi edhe presidentin Stevo Pendarovski, Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, Ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe përfaqësues të partive politike. Përfaqësuesi i lartë i BE-së vazhdon qëndrimin e tij në Ballkan me vizitë nesër në Tiranë dhe të mërkurën në Sarajevë.

Baby Boo