BOMBA ATOMIKE PËR NJË BIG-MAC


Shkruan: Ismail BARDHI

Nuk e di, por më duket asgjë nuk shkon siç duhet; edhe pse kaloi frika që kishim nga gishtat e dy presidentëve që i mbanin tek “butonat e kuq”, dhe kjo natyrisht se është diçka e mirë. Por, është mirë t’i lutemi Zotit që të mos paraqiten më njerëz të tillë?! Megjithatë, pyetja kryesore qëndron në atë se ku është ajo ushtri e “mendjes” dhe botës informative që hesht/flet!? Ku është mençuria jonë? A nuk shihni se ka diçka paradoksale në gjithë këtë, respektivisht një mashtrim, një lojë me ne? Si duket edhe kjo “me ne”, është duke na mashtruar. Pse them kështu? Për arsye se e kam parasysh kohën para “Big-Mac-ut” në Korenë e Veriut: në atë shtet vetëm një Zot e di se çka ka ndodhur, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për lirinë, por për atë se ku ka qenë, ku është dhe ku ka shkuar qenia njerëzore. Njeriu ka qenë i persekutuar, i dënuar ditë e natë me vdekje, vetëm për arsye të “idealeve” të cilave fëmijë, gra dhe burra i kanë brohoritur. Tmerr!

Pa marrë parasysh vështirësinë, në këtë kohë ishte shumë simpatik ai numër i madh i qytetarëve të veshur njëlloj, me “frizura” të njëjta, që përshëndesnin shkëmbimin e bombës atomike me atë “Big-Mac”. Besoj se kam të drejtë kur them se vërtet ishte “bukuri”: një brohoritje, një fuqi, një disiplinë, dhe prisja se do të bëhej edhe një lloj muzeu i kësaj bote demokratike. Ju e shihni se koha post-demokratikus është shndërruar në një tmerr; nuk dihet se kush kë është duke e sunduar; garat janë bërë të tmerrshme; jemi dëshmitarë të sondazheve të ndryshme që tregojnë se njerëzit “e lirë” janë të armatosur më shumë seç janë vetë në numër, dhe nuk flas për çifte gjuetie, por për armë që përdoren kundër nesh, kundër qenies njerëzore.

Mezi jam duke u përqendruar për këtë shkrim, sepse fjalori me të cilin fillova nuk ka fund, jo për arsye të një përmbajtjeje të thellë, por për arsye të një edepsëzllëku të madh që është duke e shfaqur njerëzimi. Nga përmbajtja e mësipërme vetvetiu parashtrohet pyetja: Kush është duke sunduar? Kush është duke e sunduar sundimin; ose çka do të thotë sundimi? Sundues do të thotë “ai që manipulon me njeriun”!?! Në kohët e mëparshme kemi pasur mundësi t’i kuptojmë prijësit e kastave, dhe kryepleqtë e katundeve, e deri te presidentët e shteteve. Natyrisht, këta janë konsideruar si borgjezi, tmerri i së kaluarës, siç e ka përshkruar atë mendja marksiste, dhe si duket kanë pasur të drejtë. Por ne që pranuam një sistem të tillë a thua kemi të drejtë? Jo, aspak, sepse ky lloj sundimi, dhe kjo demokraci është bërë e kobshme, e panevojshme, e frikshme, e dhimbshme, e turpshme; është shndërruar në një kasaphanë demokratike.

Sot botën e kemi të mbingarkuar me presidentë të korruptuar, të papërgjegjshëm, dhe nuk flas në dimensionin fetar, moral, por në atë mbi të cilin “mbështetet” sundimi shtetëror, pra parullat: unë do t’ju garantoj siguri; unë nuk do të vendos pa pëlqimin tuaj (shumicës); unë do të jem në shërbimin tuaj. A nuk e shihni se të gjitha këto janë gjepura dhe fjalë çmendëse? Sot nuk kemi kryeministër në hapësirën e Ballkanit që nuk hyn në burg për arsye të vjedhjes dhe abuzimit, pra për arsye se “na ka shërbyer neve”. Nuk kemi kryeministër që nuk largohet nga pushteti pa e marrë titullin “milioner”. Dhe edhe ajo, pra vjedhja, është kalimtare. Gjuha mistike thotë: “mos u mashtro me pasurinë, sepse bota ka pasur shumë më të pasur, por që nuk janë më…”. Dhe këtu qëndron pyetja më me rëndësi për ne: pse nuk mendojmë se jemi bërë më skllevër se skllevërit e mëparshëm? Më parë skllavit i kanë hedhur një kockë, ca kokrra grurë apo misër, ndërsa sot neve na japin obligime për shkatërrim. Paramendoni se me kë nisi “demokracia nacionaliste” në ish-Jugosllavi: me Milosheviqin; po, po, me të! E të gjithë ne e ndoqëm atë. Lërini anash pallavrat e “ilegalistëve” të cilët nuk i ka parë as dielli, as hëna, e as toka, që na mashtrojnë me thashetheme dhe trimëri cubash.

Tmerri vetëm vazhdon së zhvilluari; para nesh e servirin fundamentalizmin dhe “terrorizmin islamik”. A e dini pse? Për arsye që të krijojnë konflikt ndërfetar, që për fat të keq edhe institucionet fetare bien në këtë grackë. E kush e bën këtë – të pafetë, si lloji i presidentëve që e shesin edhe shtetin, pavarësisht tmerrit që i ka shkaktuar vendit dhe popullit të vet. Dhe ja prova për këtë: një dinasti jeton 60-70 vjet dhe më pas për një “hamburger” shet gjithçka. Natyrisht se në këtë rast Trumpi e luajti një rol të rëndësishëm: ai na “shpëtoi” nga një katastrofë e madhe që të parët e përjetuan japonezët nga paraardhësit e tij.

Kush ka mundësi t’i del përpara një mashtrimi të tillë të përsëritur si sundimet e tashme, qofshin ato moniste apo demokratike? Vetëm besimi në Zotin Një! Nga e kaluara ne mund të mësojmë shumë: i pamë fashizmin, leninizmin, stalinizmin, maoizmin, enverizmin, kimjongizmin… Të gjitha u “zhdukën”, por frika nga ato akoma ekziston në formë tjetër. Për format e përhershme të rrezikut shpëtim është vetëm besimi në Zotin Një; ne nuk kemi nevojë të mashtrohemi nga prodhimet e ndryshme që nuk mbajnë. Paramendoni se sot më shumë “mbrohet” e pavërteta sesa e vërteta; më shumë flitet për amoralitetin dhe përgatitjen për amoralitet, sesa për të moralshmen dhe moralin; të pamoralshmit flasin për moralin. Dhe e gjithë kjo bëhet me ndihmën tonë, sepse ne i kemi shitur mendjen, vlerat morale dhe jemi bërë pjesëmarrës i llojit të “Big-Mac”. Nëse dyshoni në këtë, atëherë po ua parashtroj pyetjen: kush ishin ata që i përkrahën sistemet e tilla? A nuk ishin vetë këta që flasin për një sistem “tjetër”!? Shtete dhe sisteme sa të duash, por drejtësia dhe e vërteta nuk e di se ku janë. Së paku te mos lejojmë të mashtrohemi.

Baby Boo