Blinken: Vizita në Evropë konfirmoi partneritetin SHBA-BE


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përfundoi vizitën treditëshe në Bruksel, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis aleatëve. “Kam ardhur këtu me një fokus të veçantë në mendje dhe ai ishte të bëj të qartë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ringjallur aleancat dhe partneritetet tona”, tha Blinken.

Sipas tij, bashkëpunimi tani është më i rëndësishëm se në çdo kohë në historinë e fundit dhe marrëdhëniet e SHBA-së me NATO-n dhe Bashkimin Evropian do të jenë thelbësore për tejkalimin e sfidave.
Vizita, e para e Blinkenit në Bruksel si sekretar i Shtetit, riafirmoi dëshirën e administratës së re amerikane për të fituar përsëri mbështetjen e aleatëve, pas lidhjeve të dobëta që kanë mbizotëruar gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Udhëheqësve të BE-së, të enjten, iu drejtua përmes video-konferencës edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, i cili konfirmoi angazhimin e tij për të ringjallur marrëdhëniet.
Biden tha se Uashingtoni dhe BE-ja “duhet të sigurohen se demokracitë, e jo autokracitë, vendosin rregullat e rrugës”.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, u zotua se do të punojë me Uashingtonin për të mbështetur demokracinë në të gjithë botën.

Baby Boo