“Blerja” e deputetëve, mashtrim për votuesit, Buxhakovski: Nuk ka përgjegjësi penale, por vetëm morale


Spekulimet që janë gjithnjë e më të zëshme – se ka gjasa që deputetët e VMRO-DPMNE-së ta përkrahin shumicën e re parlamentare, hapën dilemën – sa është kjo legale dhe legjitime? Sipas profesorit, Stefan Buxhakovski, kalimi nga një në opsion tjetër, është vetëm mashtrim i votuesve.
“E drejtë e çdo individi, duke përfshirë edhe deputetin, është që vetë ai të përcaktojë ku do të takojë por në procesin zgjedhor dhe në procedurën e prezantimit të deputetëve dhe programeve, është e pamoralshme të kalojë në parti tjetër, vetëm për shkak të interesave të tij personalë”, tha Stefan Buxhakovski.

Buxhakovski thotë se ligjet nuk parashohin përgjegjësi penale për veprime të tilla, por siç shpjegon, duhet pasur përgjegjësi morale për shkeljen e parimit të demokracisë. Deri më tani ka pasur raste të tilla, kurse më i freskët është shembulli me deputetët e pavarur nga përbërja e kaluar, edhe pse për askënd prej tyre nuk është dëshmuar në ç’mënyre e kanë bërë këtë. A do të thotë kjo se duhet të ketë ndryshime ligjore me të cilat do të ndalohet transferimi i deputetëve nga një në parti tjetër?
“Fillimisht ne duhet të piqemi politikisht, edhe pse në këtë pluralizëm jemi tashmë një kohë të gjatë. Ne nuk u poqëm politikisht për ta ndërtuar demokracinë dhe proceset demokratike. Pas kësaj do të vijonin ndryshimet ligjore. Në këtë mënyrë, partitë politike nuk do të synojnë të bëjnë ndryshime të caktuara, sepse ata i sjellin ligjet, kurse pastaj pushteti ekzekutiv i zbaton ato”, deklaroi Stefan Buxhakovski.

Hristijan Mickoski akuzoi se persona të caktuar u kanë ofruar shuma të majme parash deputetëve të zgjedhur të VMRO-DPMNE-së për ta mbështetur shumicën e re parlamentare të udhëhequr nga LSDM-ja. Mickoski tha se u beson deputetëve të tij se nuk do ta pranojnë ofertën. Në pyetjen – kush e ka dhënë ofertën në fjalë, ai u përgjigj, se i di emrat e tyre, por se nuk dëshiron t’i zbulojë për ta mos dëmtuar procesin negociues. Nga LSDM-ja nuk e komentojnë deklaratën e Mickoskit, kurse përmes një kumtese thanë se partia e tyre zhvillon negociata serioze për formimin e Qeverisë së re, prioriteti kryesor i së cilës do të jetë lufta kundër krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet.

Baby Boo