“Biznesi” me emigrantë nuk kursen as fëmijët


Statistikat e Ministrisë për Punë të Brendshme, për muajin korrik thonë se nëpër rrugët e vendit janë zbuluar afër 200 emigrantë ilegal, në mesin e të cilëve ka pasur edhe fëmijë

 

 

Përderisa verën shumica e qytetarëve e shfrytëzojnë për pushime, një pjesë e tyre vazhdojnë të merren me çështje kriminele. Të tillë janë trafikantët e emigrantëve. Veprimtaria e tyre e kundërligjshme jo se pushon gjatë periudhave tjera të vitit, por të dhënat zyrtare të organeve të rendit tregojnë se aktivitet e tyre shpeshtohen pikërisht gjatë këtyre muajve. Sektori civil i cili në vazhdimësi e përcjell situatën me emigrantët që hyn e dalin nga Maqedonia e Veriut, e pranon faktin se muajt e verës i joshin trafikantët e emigrantëve për ti shtuar lëvizjet e tyre, shkruan gazeta KOHA.
“Kjo periudhë zakonisht është më intensive për shkak të kohëve më të volitshme për tentim të kalimit të kufijve. Mirëpo, në përgjithësi nuk ka ndonjë tentim shumë të lartë të hyrjes ilegale të emigrantëve. Ne i përcjellim për çdo ditë zhvillimet. Kufiri është mirë i mbrojtur si nga institucionet vendase, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Kontrollet janë më të shpeshta. Por, ja që trafikantët i shfrytëzojnë pushimet verore që ti realizojnë qëllimet e tyre dhe të trafikojnë grupe më të madh. Megjithatë, jo çdoherë kanë sukses në këtë drejtim”, thonë nga Shoqata maqedonase e juristëve të rinj.
Statistikat e Ministrisë për Punë të Brendshme, vetëm për muajin korrik të këtij vitit thonë se nëpër rrugët e vendit janë zbuluar gati 200 emigrantë ilegal, në mesin e të cilëve ka pasur edhe fëmijë. Hyrjet ilegale të imigrantëve në Maqedoninë e Veriut bëhen nga fqinji jugor, Greqia. Gjatë rrugëtimit të tyre drejtë pikës kufitare me shtetin Serb periudhës së fundit ka pasur edhe aksidente në komunikacion. Situatat e tilla zakonisht i kanë krijuar trafikantët e emigrantëve, të cilët në tentim për t’ju ikur organeve të rendit humbin kontrollin dhe rrokullisin me automjetet e tyre. Këto zhvillime me emigrantët nuk kanë ngelur pa u vërejtur edhe nga Prokuroria e Shtetit. Prokuroria për parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nën dyshimin se është kryer vepra penale “trafikim të emigrantëve”, gjatë muajit korrik nga ngritur procedurë hetimore ndaj një shtetasi të Maqedonisë së Veriut.
“I dyshuari në aksion rrugor Veles-Shkup ka transportuar 18 emigrantë, në mesin e të cilëve edhe katër fëmijë. Në afërsi të lumit Pçinje i dyshuari nuk është ndalur në sinjalizimin e nëpunësve të policisë, nuk e ka ndërprerë veturën, por me shpejtësi të madhe ka vazhduar drejtë pikës pagesore në Petrovec. Për një moment ai e mënjanon pikën pagesore dhe niset drejtë fshatit Petrovec, dhe vazhdon drejtë fshatit Katllanovë, ku para hyrjes së fshatit shkakton një aksident. Kësisoj i dyshuari është arrestua”, thonë nga Prokuroria Publike.

Ndryshe, nga Prokuroria Publike kanë theksuar se i dyshuari ka qenë kryerës i veprave tjera penale, respektivisht nën dyshimin se mund të arratiset ata kanë propozuar shqiptimin e masës së paraburgimit, masë kjo e cila është pranuar nga Gjykata Penale e Shkupit.

Baby Boo