Caktohet masa e paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridonës


Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji të pandehurit Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokollës për vrasjen e Liridona Ademajt në Sinidoll të Prishtinës me 29 nëntor.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve, andaj gjykata ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.M, G.P dhe K.K dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin“, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Naim Murseli dyshohet për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje‘, Granit Plava për veprën penale ‘Vrasje e rëndë‘ dhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve‘ dhe i pandehuri Kushtrim Kokolla për shkak të veprës penale ‘Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë‘.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës“, thuhet në njoftim e Gjykatës.

Baby Boo