Bill Gates përkrah projektin për ta zbehur dritën e Diellit


Këtë verë do të fillojë testimi i një projekti për zbehjen e dritës së Diellit që arrin në Tokë. Projekti është përkrahur nga miliarderi amerikan dhe një ndër personat më të pasur në botë, Bill Gates.
Mediet raportojnë se një balonë e madhe do të lëshohet së shpejti në Suedi për të shpërndarë grimca të karbonatit të kalciumit, që në thelb është “pluhur shkumësi”, shkruan Enterpreneur.

Me anë të projektit të quajtur “Eksperimenti për Trazimin e Kontrolluar Stratosferik” synohet të vërtetohet se lirimi i këtij pluhuri në stratosferë potencialisht mund t’ia ndërrojë drejtimin një sasie të energjisë që vjen nga Dielli dhe ta ulë temperaturën në planetin tonë.
Balona me këtë lloj substance do të lëshohet afër qytetit arktik, Kiruna, dhe do të ishte përpjekja e parë serioze për të testuar nëse ngrohja globale mund të mbahet nën kontroll duke e zbehur energjinë e Diellit.

Ky hulumtim do të kryhet nga shkencëtarët e Universitetit të Harvardit dhe do të financohet nga donatorët privatë, përfshirë themeluesin e gjigantit të teknologjisë, “Microsoft”. Qëllimi i projektit është që dritën e Diellit ta reflektojë jashtë atmosferës së planetit tonë.

Sidoqoftë, kundërshtarët shkencorë të projektit besojnë se inxhinierimi i energjisë diellore mund të sjellë rreziqe thelbësore dhe ndryshime ekstreme në sistemin e motit që nuk do të dallonin nga trendet e tanishme të ngrohjes globale.
Disa kritikë të projektit pretendojnë se zbatimi i tij mund të ketë efekt negativ në politikën globale, duke u dhënë politikanëve arsye që ta shtyjnë zvogëlimin e lirimit të gazrave serrë.

Baby Boo