Bilall Kasami: Dorëheqje dhe përgjegjësi me burg për rastin në Klinikën e Onkologjisë


Bilall Kasami:

Të nderuar qytetarë, të nderuara media,

Ministrat dhe çdo funksionar i kësaj Qeverie, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, edhe të marrin jetë të njerëzve, vetëm që të pasurohen vetë. Këtë më së miri e dëshmon rasti me keqpërdorimet e barnave në Klinikën e Onkologjisë. Imagjinoni, pacientët me sëmundje të rënda, edhe pse i paguajnë tatime dhe sigurime këtij shteti, lihen korridoreve të spitaleve pa terapi, ose po u jepen terapi të rrejshme të cilat u shkaktojnë vdekjen. A nga ana tjetër, pa turp, pa moral dhe pa ndjenja njerëzore, ilaçet për mjekimin e sëmundjeve të rënda, siç është edhe kanceri, fshihen nga disa persona të personelit të Onkologjisë dhe shiten në mënyrë private. Dhe pas të gjithë këtij skandali, i cili në opinion përflitet thuajse dy vite, kryeministri dhe ministrat, dalin në opinion dhe në vend që të japin dorëheqje, ata, pa iu skuqur fytyra, arsyetohen dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi.

Ne si Lëvizje BESA, dyshojmë se do të ketë drejtësi dhe përgjegjësi për këtë rast, aq sa kishte drejtësi për rastin me “Besa Transin”, “Durmo Tursin” dhe Spitalin Modular në Tetovë, ku fajtorët kryesorë për këto raste janë të lirë dhe jashtë aktakuzave.

Por për të ardhur keq është edhe fakti se skandale të këtilla qytetarët paralajmërojnë edhe në klinikat tjera. Gjatë ditës së djeshme, qytetarët kanë shpërndarë informacione nëpër mediat sociale se për më shumë se gjashtë muaj, në Klinikën e Kardiologjisë në Shkup, nuk ka sallë elektrofiziologjike për operacione dhe mbi 171 pacientë po vuajnë pa gjetur shërim dhe zgjidhje. Pasi ministri i Shëndetësisë për gjysmë viti po hesht për këtë skandal, kërkojmë nga kryeministri Kovaçevski që urgjentisht të dalë e të deklarohet nëse këto informata janë të sakta, ndërsa u bëjmë thirrje organeve kompetente si MPB-së dhe Prokurorisë të veprojnë.

Imagjinoni çfarë sistemi shëndetësor kemi, çfarë udhëheqës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe çfarë kryeministri. Derisa qytetarët vdesin nëpër korridore të klinikave dhe për shkak të vjedhjes së terapive, këta dalin dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi. E Kush duhet të përgjigjet. Në këtë rast përgjigjen e jep thënia popullore se “peshku krymbet nga koka”, dhe kur Qeveria është e korruptuar nga koka e deri tek këmbët, nuk mund të ketë përgjegjës më të mëdhenj se Kryeministri dhe Ministri i Shëndetësisë.

Lëvizja BESA kërkon që përgjegjësit e këtyre akteve barbare e monstruoze të marrin dënimin maksimal me burg, ndërkaq nga Ministri aktual i Shëndetësisë kërkojmë të dëshmojë se nuk e ka prioritet pozitën, por qytetarin. Këtë duke vendosur në shprehje aktin moral të dorëheqjes, në shenjë ndërgjegjshmërie e përgjegjësie si i pari i Shëndetësisë në vend!

Çdo veprim tjetër do të dëshmojë fshehjen e krimit dhe bashkëpunimin me kriminelët në rastet e lartëpërmendura.

04.09.2023
Lëvizja BESA
Bilall Kasami, kryetar.

Baby Boo