Bie interesi për vaksinim! Zendeli: Dikur vaksinoheshin 300 persona në ditë, tani 30


Para dy muajve ishte e vështirë të vije në radhë për vaksinim anti-covid në Poliklinikën e Çairit. (12 gusht)
E tani një numër shumë i ulët i qytetarëve po pret të imunizohet.

Sofija kishte ardhur që të marrë dozën e tretë Pfizer, pasi paraprakisht ishte vaksinuar me dy doza të vaksinën kineze Sinovac.
“Besoj në vaksina, nuk jam antivaksinim. Djali im është mjek në Gjermani dhe më paraqitej çdo ditë dhe më thoshte të shkosh nesër të vaksinohesh dhe vendosa. Çdo ditë më paraqitej, shko menjëherë nesër, nuk ka përse të kesh frikë”, tha Sofija Popovska – qytetare.

Mjeku Abdulhadi Zendeli nga kjo pikë e vaksinimit thotë se interesimi i qytetarëve për të pranuar dozën e parë të Covid-19 gjatë muajit të fundit është ulur dukshëm. Nëse gjatë verës vaksinoheshin 300 qytetarë në ditë, sot deri në mesditë me dozë të parë ishin vaksinuar vetëm 30 persona.
“Për sot interesimi është vetëm 30 persona janë vaksinuar me dozën e parë, me dozën e tretë 40 persona dhe mbi 60 janë me dozën e dytë. Vetëm në një ndërrim ka pasur diku deri mbi 300 persona vetëm për dozën e parë, domethënë para këtij muaji, ndërsa në muajin e fundit ka një rënie, interesimi vazhdon por ka një zbehje në periudhën e fundit”, deklaroi mjeku Abdulhadi Zendeli.

Përderisa interesimi për vaksinim është ulur ndjeshëm, numri i rasteve të reja të të infektuarve në nivel ditor po rritet, dje janë shënuar 593 të infektuar me virusin corona.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, para disa javësh paralajmëroi fushatë të re për të nxitur vaksinimin por e njëjta ende nuk ka nisur, e nga 16 nëntori qytetarët që nuk kanë pranuar dy doza nuk do të mund të vizitojnë objekte gastronomike dhe të tjera. Për shkak të kërkesës së ultë për vaksinim më nuk funksionojnë sallat e mëdha të sportit, ku realizohej imunizimi masiv i qytetarëve.

Autoritetet shëndetësore në vend njoftojnë se në dy ditët e fundit janë vaksinuar 9.009 qytetarë, 1.873 prej të cilëve kanë pranuar dozën e parë, 1.580 janë rivaksinuar, kurse 5.536 qytetarë kanë pranuar dozën e tretë të vaksinës kundër virusit korona. Numri i personave të vaksinuar në vendin tonë shkon në 806.781 persona, ndërkaq janë rivaksinuar 777.655 qytetarë. Interesimi për dozën e tretë të vaksinës është rritur me çka janë imunizuar gjithsej 36.424 qytetarë.

Baby Boo