Biden si lider i vërtetë: Jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin


Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund epokës së përçarjeve në kohën kur vendi përballet me një dimër të gjatë e të vështirë në pandemi. Në një fjalim që mbajti për Ditën e Falënderimeve, që është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë tha se amerikanët janë në luftë me koronavirusin e jo me njëri-tjetrin.

“Unë besoj që ju gjithmonë meritoni që ta dëgjoni të vërtetën nga presidenti juaj. Ne duhet ta ndalim rritjen e virusit. Ua kemi borxh këtë mjekëve, infermierëve dhe punëtorëve që janë në vijën e frontit. Ua kemi borxh qytetarëve tanë”, tha presidenti i ri i shtetit më të fuqishëm në botë.

Ai shtoi se sëmundja COVID-19 i ka sjellë Amerikës dhimbje, humbje, zemërim dhe shumë jetë të njerëzve janë humbur. “Na ka përçarë, na ka zemëruar, na ka vendosur kundër njëri-tjetrit. E di që vendi është lodhur me këtë luftë, por ne duhet të mbajmë mend – jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin”, tha Joe Biden.

Në anën tjetër, presidenti në largim, Donald Trump, u bëri thirrje përkrahësve të vet që të punojnë për ta kthyer rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, shkruan BBC. Duke folur përmes telefonit në Shtëpinë e Bardhë në një ngjarje të organizuar nga ligjvënësit republikanë në Pensilvani, Trumpi i përsëriti pretendimet e tij të pabazuara për manipulime të gjera në zgjedhje.

Baby Boo