Beteja për shtetësinë, opozita ka gati edhe 10 mijë amendamente, BDI shprehet kundër (VIDEO)


Kuvendi po hyn drejt bllokadës së përgjithshme si pasojë e betejës së opozitës shqiptare për të zgjidhur çështjen e personave pa nënshtetësi përmes ligjit që ata kanë propozuar në Kuvend. Kundër formës që kanë zgjedhur Aleanca dhe Alternativa për këtë betejë, ka dalë sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ai sot ka thënë se bllokimi i Kuvendit është në dë*m qytetarëve, por edhe të vetë partive politike.

Bujar Osmani
“Institucionet duhet të përqendrohen në këto kërkesa. Lojërat politike nuk janë interes i qytetarëve. Parlamenti është kanalizim i zërit të qytetarëve dhe bllokimi i tij, është bllokim i nevojave të qytetarëve. Në këto kushte të pandemisë, lojërat politike nuk i ndihmojnë as partive, por as qytetarëve”

Por, thirrjet e këtilla të partive në pushtet dhe zyrtarëve të Qeverisë duket se nuk kanë shumë efekt te opozita shqiptare, e cila përveç që thotë se do të vazhdojë këtë betejë, paralajmërojnë edhe rritje të numrit të amendamenteve dhe ligjeve të cilat do t’i bllokojnë, derisa të zhbllokohet Ligji për Shtetësi. Grupi parlamentar i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, është duke përpiluar edhe të paktën 10.000 ligje të cilat nesër dhe pasnesër do t’i dorëzojnë kundër 10 ligjeve të cilat janë në komisionin parlamentar për Financa dhe Buxhet.

Nga ky koalicion përsërisin në vazhdimësi qëndrimin se nuk do tëheqin dorë nga bllokimi i ligjeve në Kuvend derisa të zhbllokohet ligji për shtetësi dhe të gjindet zgjidhje për këtë problematikë që siç shprehen ata, mban pezull mijëra qytetarë shqiptarë në vend. Bllokimi i të gjitha ligjeve në Kuvend përmes mijëra amendamenteve nga ana e opozitës shqiptare, erdhi si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit të dy partive maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, karshi ligjit për shtetësi. LSDM ishte shprehur kundër propozim ligjit, ndërsa VMRO-DPMNE e bllokoi atë në komision përmes qindra amendamenteve të deponuara.

Kryetarët e dy partive shqiptare, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, përmes një konference për media njoftuan se kësaj do t’i përgjigjen me gjuhë të njëjtë dhe që nga ajo ditë grupi parlamentar ka dorëzuar tanimë 10 mijë amendamente ndaj disa ligjeve, ndërsa 10 mijë të tjera po përgatiten për seancën e radhës të komisionit për financa dhe buxhet.

Baby Boo